Zjarre masive në shumë vende të botës! Flakët përpijnë mijëra hektarë tokë

by admin
Spread the love

Shumë vende në të gjithë botën po përballen me një valë zjarresh, për shkak të temperaturave tejet të larta.

Në La Palma të Spanjës mbi 2500 persona janë evakuuar, pasi flakët përpinë mijëra hektarë tokë, duke rrezikuar edhe vendbanimet. Rreth 300 zjarrfikës në terren po punojnë për të vënë zjarrin nën kontroll, teksa kanë marrë përforcime nga avionët zjarrfikës.

Era e fortë dhe vala e të nxehtit ka bërë që zjarret të përhapen me shpejtësi, e në disa vende të dalin jashtë kontrollit. Nga ana tjetër në një gjendje të rënduar është edhe Greqia, e cila tashmë është nën pushtetin e zjarreve.

Shumë avionë me ujë janë mobilizuar për të ndihmuar dhjetëra ekuipazhe tokësore dhe njësi të lëvizshme që po përpiqen të shuajnë zjarret në rajonet e Atikës, Korinthit dhe Viotisë për të dytën ditë, pasi erërat e forta dhe temperaturat e larta vazhduan të përkeqësonin situatën. Autoritetet lëshuan një alarm të nivelit të katërt.

Zjarret vazhdojnë të përhapen në të gjithë Kanadanë, ku deri më tani vijojnë të jenë aktive qindra vatra.

Ekspertët raportuan se thatësira është një faktor kryesor i përhapjes së flakëve, së bashku me temperaturat e vazhdueshme mbi normale për vendin verior. Deri më tani si pasojë e flakëve që vijojnë të përhapen me shpejtësi janë evakuuar më shumë se 155,000 persona.

Situata është gjithnjë e më shqetësuese pasi vendet janë goditur rëndë nga efektet e ndryshimeve klimatike, me një sërë valësh dërrmuese të të nxehtit, si dhe gjithnjë e më pak reshje.


Top Channel

You may also like