Zhiru sfidon moshën: Jemi në top-formë, unë mbetem milanist

by admin
Spread the love

Pas zëvendësimit, Olivie Zhiru u pikas nga kam erat duke mbajtur akull mbi gju. Menjëherë nisi një valë shqetësimi, e cila u shua po aq shpejt pasi sulmuesi vepron kështu pas çdo ndeshjeje. Është mënyra e tij për të kujdesur për një trup që edhe pse gëzon formë të mirë, nuk duhet harruar se ka 37 vite mbi supe.

Me pak fjalë, numri 9 kuqezi nuk ka asnjë problem dhe kundër Romës do të jetë rregullisht në fushë. Duke filluar që nga sezoni 2022-23, Olivie Zhiru është lojtari që ka realizuar më shumë gola me kokë në Serinë A. 11 për francezin, teksa pas tij me një gol më pak vjen Viktor Osimhen i Napolit. E teksa për të ardhmen e tij drejt Amerikës flitet gjithmonë e më tepër, 37- vjeçari komenton situatën në një intervistë për rrjetin “DAZN”.

Fitorja e pestë radhazi në Serie A, a është ky Milani më i mirë i sezonit?

Po dhe e ndiej. E donim këtë fitore të pestë radhazi. Në pjesën e parën shënuam dy gola dhe ishim efektivë. E dinim që Leçe po bënte mirë, ata nuk kishin pësuar gol në dy ndeshjet e fundit. Krijuam shumë kundër Fiorentinës dhe mund të kishim shënuar më shumë gola, por sidoqoftë treguam dëshirën për të qenë më efikasë para porte.

Sa argëtuese është të luash me Leaon, Pulisiçin dhe Çukvuezen?

I njoh mirë Loftusin dhe Pulisiçin, kuptohemi mirë. Por edhe me të tjerët. Për shembull Adli më bëri një asistim të bukur. Ndoshta mund të kisha shënuar edhe një gol tjetër.

Si shkoni në ndeshjen kundër Romës?

Ndihem shumë mirë, skuadra është mirë si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Tani na presin ndeshje të rëndësishme, duam të jemi të fokusuar në objektivat tona: vendin e dytë dhe të paktën të arrijmë në finalen e Ligës së Europës. Ka shumë ekipe të forta, por edhe ne nuk jemi më pak.

Deri në qershor do të shijoni “San Siro”-n…

Nuk dua të flas për të ardhmen time. I kam lexuar ato që dalin në shtyp. Nuk ka ndodhur asgjë. Sot jam një tifoz i Milanit, një zemër e vjetër kuqezi. Jam shumë krenar që luaj për këtë ekip. Dua ta përfundoj në mënyrën më të mirë të mundshme, pastaj të shohim vitin e ardhshëm.

REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL

You may also like