Zgjedhjet në Serbi, sulmet, votuesit e Veriut dhe Lugina

by admin
Spread the love

Në Serbi po votohet në zgjedhjet e rregullta presidenciale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pa shumë entuziazëm për ndryshim pushteti. Një politikan serb raportohet se u sulmua në procesin, që po përcillet me disa incidente. Vuçiqi dhe partia e tij janë favoritë për të fituar sërish, ndërsa shumica e partive shqiptare në Luginën e Preshevës po marrin pjesë në zgjedhje. Megjithatë, qytetarët në komunat me shumicë shqiptare nuk kanë shumë interesim për të votuar. Ndërkaq serbët nga Kosova kanë udhëtuar me autobusë për të votuar në jug të Serbisë.

Të paktën 30 autobusë me qytetarë serbë të Kosovës u nisën drejt Serbisë në orët e hershme të mëngjesit. Pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq refuzoi t’i dërgonte kërkesë zyrtare Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, kryeministri Albin Kurti tha se nuk mund t’i kërkohet të mos e njohë Republikën e Kosovës, duke lejuar organizimin e zgjedhjeve serbe.

Burime të Express brenda Policisë së Kosovës në mëngjes thanë se rreth 11 mijë persona e kishin kaluar kufirin Kosovë-Serbi, në disa pika kufitare të vendit.

Në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë po votojnë edhe shqiptarët e Luginës. Shumica e partive shqiptare të Luginës së Preshevës po marrin pjesë në këto zgjedhje. Ato garojnë me dy lista të ndara, me synimin e përbashkët për t’i fituar 3 mandate në parlamentin serb.

Në komunat me shumicë shqiptare në Serbi nuk ka pasur shumë interesim për të votuar deri në orën 13:00 dhe 14:00, krahasuar me rajonet e tjera të shtetit serb.

Deri në orën 14:00, sipas të dhënave që ka marrë Gazeta Express, në Bujanoc kanë dalë për të votuar 14 për qind e totalit të qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas gazetës serbe “Danas”, ku citohet Albin Mehmeti nga Komisioni Lokal Zgjedhor, në Preshevë deri në orën 13:00 kanë votuar 4.4 për qind nga 42.203 qytetarë me të drejtë vote.

Një votues në Serbi, e ka prishur fletëvotimin për President, ndërsa lart në të e ka shkruar emrin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë ditës, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, bashkë me ambasadoren franceze, Marie-Christine Butel e kanë vizituar pikëkalimin kufitar me Serbinë në Merdar.

“E vizituam pikën kufitare në Merdar së bashku me ambasadoren e Francës në Kosovë, Butel. Pamë bashkëpunim të mirë: 4 korsi funksionale në të dyja anët. Dëgjoj se Kosova – siç është premtuar – ka shtuar personelin në pikat përkatëse kufitare për të mundësuar kalime të qeta kufitare, në mënyrë që votuesit me të drejtë vote të mund të cotojnë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Politikani shqiptar nga Presheva, Shqiprim Arifi, thotë se shqiptarët, secili, duhet votuar për të legjitimuar kërkesat e tyre në Parlamentin e Serbisë dhe ‘për të dënuar programet diskriminuese kundër çdo shqiptari’.

“Sot, Lugina e Preshevës ka nevojë për çdo secilin nga ju; për votën tuaj, për të legjitimuar kërkesat tona në Parlament e për të dënuar programet diskriminuese kundër çdo shqiptari. Dilni dhe votoni, për të siguruar që çdo qytetar të ketë zë dhe çdo shqiptar të ketë votë”, ka shkruar Arifi.

Deri në orën 12:00, sipas mostrës nga tri vendvotime në Bujanoc, Danas raporton 9,77 për qind e qytetarëve kanë votuar nga gjithsej 43.112 që janë në listë.

Policia e Kosovës e vlerësoi si të qetë dhe stabile situatën e sigurisë në mëngjes, ndërsa rga se në disa pika kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë u krijuan kolona dhe pritje.

“Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave”, u tha në njoftimin e Policisë.

Rashka është një nga katër komunat në Serbi, pranë kufirit me Kosovën, ku qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, e që kanë nënshtetësi të Serbisë, do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Deri në orën 11:00, më shumë se 2 mijë qytetarë nga komunat e Artanës, Gjilanit, Dardanës dhe Vitisë kanë shkuar në Bujanoc për të votuar, sipas gazetës serbe, Danas. 19.442 qytetarë nga katër komunat kosovare raportohet se kanë të drejtë vote në zgjedhjet e Serbisë.

Transpor iu mundësua edhe serbëve në Graçanicë. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, serbët, kryesisht punonjës të institucioneve serbe në Kosovë, u dërguan me autobus në vendvotimet e tyre, në qytetin kufitar të Serbisë, Kurshumli.

Mediat serbe raportuan se Policia e Kosovës po i kontrollonte serbët që ishin nisur drejt Serbisë për të votuar në zgjedhje. Nga institucioni për mbajtjen e rendit i kanë hedhur poshtë këto pretendime.

Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës, i tha Gazetës Express se “nuk ka pasur raste të tilla” dhe se “nuk ka ndalesa të autobusëve”.

Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka pozuar mbi urën e lumit Ibër që e ndan qytetin në veri të Kosovës duke shkruar se “Sot, Kosovës po i vjen era shtet!”.

Në Serbi, Danas raportoi se politikani serb Bratislav Jugoviq është sulmuar në Çaçak.

Sondazhet parazgjedhore, megjithë optimizmin nga opozita e ndarë serbe, sugjerojnë se presidenti aktual Aleksandar Vuçiq mund të fitojë rundin e parë me rreth 60 për qind të votave dhe se koalicioni qeverisës, i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe e Vuçiqit parashikon ta marrë shumicën në parlamentin serb, raporton N1. Gazeta Expresss

You may also like