Zgjedhja e presidentit nga populli – kërkohet konsensus, pozitë e opozitë me propozime të ndryshme

by admin
Spread the love

Kosova aktualisht është Republikë Parlamentare, ku vendimet më të mëdha
merren në Kuvend dhe Qeveri, përfshirë edhe zgjedhja e presidentit.

11 vjet pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, po kërkohen
ndryshimet e saj, duke përfshirë edhe vetë mënyrën e zgjedhjes së presidentit të
vendit. Për këtë çështje kanë qëndrime të ndryshme deputetët e pozitës dhe
opozitës.

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për Ekonomia Online
ka thënë se zgjedhja e presidentit apo presidentes është pjesë e reformës zgjedhore.

Për këtë cështje ajo tha se do të punohet në grupin punues për reformë në
kuadër të Kuvendit dhe se gjatë kësaj legjislature do të përmbyllet ky proces.

“Sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes kjo është pjesë e
reformës  zgjedhore. Ne si Kuvend i
Kosovës bashkë me kryetarin e Kuvendit dhe udhëheqësit e partive politike në Kuvend
jemi të përkushtuar që sa më parë të fillojmë me grupin ad-hoc në kuadër të Kuvendit.
Të fillojë përgatitjen e agjendës për reformën zgjedhore dhe në kuadër të saj
do të trajtohet zgjedhja e presidentit apo presidentes. Është bërë kohë e gjatë
që diskutohet reforma zgjedhore pa ndonjë rezultat sepse kjo legjislaturë e ka
mundësinë e artë që të përmbyllim me sukses reformën zgjedhore”, tha
Kusari-Lila.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se ndryshimet kushtetuese në Kosovë
duhet të përshtaten me ndryshimet kushtetuese të Shqipërisë që të jetë një
konfederatë shqiptare, senat shqiptar dhe një president mbarë shqiptar.

“Unë mendoj që sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimit të Ligjit
për zgjedhje na duhet një konsensus i përgjithshëm. Unë mendoj që ndryshimet
kushtetuese të Kosovës duhet të përshtaten me ndryshimet kushtetuese të
Shqipërisë që ta kemi një konfederatë shqiptare që ta kemi një senat shqiptar
dhe një president të mbarë shqiptar. Këto janë idealet e mia dhe mendoj se janë
të mundshme të realizohen. Po ka pasur president që janë zgjedhur nga Kuvendi
që nuk kanë qenë anëtar të partive politike”, tha ai

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri shtoi se ndryshimet
kushtetuese janë temë e gjerë politike dhe duhet konsensus.

Sipas Tahirit, është shumë e nevojshme që populli të deklarohet me votë për
presidentin, raporton EO.

“Ndryshimet kushtetuese janë temë shumë e gjerë politike dhe kërkon
konsensus politik. Në kontekstin e Kosovës të gjitha ndryshimet kushtetuese që
bëhen duhet të jenë shumë të kujdesshme”.

“Mirëpo ajo që mund të them më përgjegjësi shumë të plotë është shumë e nevojshme që populli të deklarohet me votë për presidentin”.

You may also like