Ylli në finale të Ligës Unike, mposht thellë Pejën

by admin
Spread the love

Golden Eagle Ylli është finalisti i parë i turneut “Final 8” të Ligës Unike që po mbahet në qytetin e Vlorës.

Ylli e siguroi finalen pasi në ndeshjen gjysmëfinale e mposhti thellë skuadrën e Pejës. Dueli i luajtur të premten përfundoi me triumfin e thellë të Yllit me shifrat 91:62.

Për Yllin, kjo është fitorja e dytë e thellë në po aq ndeshje të luajtura në Ligën Unike. Dy çerekët e parë të ndeshjes ishin të barabartë, por Ylli dallimin e bëri në çerekun e tretë dhe të katërt.

Çerekun e tretë, Ylli e fitoi me shifrat 29:18, ndërsa në të katërtin ishte edhe më bindës – 24:9. Në fakt, Ylli kishte seri 36:3 për ta krijuar epërsinë e thellë ndaj Pejës, ekip që nuk ishte kundërshtar aspak i barabartë, sidomos në dy periudhat e fundit.

Fundori i Yllit, Alonso Verge ishte i pandalshëm dhe më i merituari për fitoren e Yllit. Verge ndeshjen e mbylli me 34 pikë, 4 kërcime e 8 asistime kurse me lojë të mirë u veçuan edhe Vincent Cole (14) e Jan Palokaj (11).

Te Peja më efikasi ishte Justin Edler Davis që realizoi 19 pikë, ndërsa pikë dyshifrore shënuan edhe Larry Thomas (13) e Jetmir Zeqiri (12) por që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen e thellë nga Ylli.

Në finale, Ylli do të luaj me fituesin e ndeshjes së dytë gjysmëfinale mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës. Kjo përballje nis në orën 19:00.

You may also like