Xhamia e Madhe e Prishtinës bëhet “me leje” – Shqip

by admin
Spread the love

Kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, bëri me dije dhënien e lejes së ndërtimit për Xhaminë e Madhe të Prishtinës.

“Procesin e ndërtimit të ‘Xhamisë’ më në fund e kemi vënë në binarët e duhur!”, shkruan kryemenaxheri i kryeqytetit kosovar, që nuk dihet se pse e ka vënë në thonjëza, një defekt i rëndë ky në arkitekturën e gjuhës prej një arkitekti në profesion.

“Ky proces u shoqërua me procedura të stërzgjatura, me pajisjen e BIK-ut me kushtet ndërtimore në vitin 2017, të cilat u plotësuan me ndryshime më vonë në vitin 2020, kur edhe u pajisën me lejen për sigurimin e gropës së gërmimit.

Qytetarët e lagjeve ‘Dardania’ e ‘Ulpiana’ duhet ta gëzojnë të drejtën të praktikojnë fenë e tyre në mënyrë të dinjitetshme. Andaj, jemi të lumtur që më në fund, këtë proces sot e përmbyllëm me lëshimin e lejes ndërtimore për ndërtimin e këtij objekti fetar!”, mbyll njoftimin e tij Rama i Prishtinës, duke jua atribuar xhaminë e re dy lagjeve të njohura.

Kujtojmë se Prishtina trashëgon një grusht xhamish të traditës osmane pak metra nga njëra tjetra, në zemrën historike të saj, si dhe me dhjetra në lagje e zona të ndryshme. Ndërsa kjo e reja, startuar si inisiativë e vite më parë, synon të luajë rolin e një xhamie të madhe e qendrore për jetën islame të kryeqytetit kosovar.

Për të pati një konkurs ku u ofruan shumë variante arkitektonike, por në fund duket se ka mbetur modeli osman, pa risi, siç në Tiranë. /tesheshi.com/

You may also like