Xhamal Musiala ‘përkëdhel’ Tuhelin. Talenti gjerman i shfaq besnikëri klubit bavarez

by admin
Spread the love

Tomas Tuhel ende nuk e ka mbushur një vit nga aventura në krye të Bajernit, megjithatë “bëmat” në Mynih nuk kanë pasur të sosur. Nga lufta “e egër” me Dortmundin në sezonin e shkuar për të mbërritur te transferimi i “shpëtimtarit” në fazën ofensive, Herri Kejn.

Mesatarja e pikëve prej Tuhelit në “timonin” e bavarezëve përkon me 2.14, më poshtë se paraardhësi Julian Nagelsman (2.31 pikë). Jup Hajnkes dhe Hansi Flik mbajnë kurorën te gjigantët nga Mynihu me 2.6 pikë, kuotë tejet e lartë. Për t’ia “zbutur” disi maloren pas gjysmës së parë të sezonit ka menduar Xhamal Musiala. Impakti i 20-vjeçarit ka marrë nota jetike, aq me tepër kur ai e ka lënë të hapur rinovimin, duke mos dhënë garanci mbi vazhdimësinë si bavarez.

Prononcimi i fundit nga Musiala i ka rritur “kreditet” teknikut në ekip. Futbollisti me numër “42” në Mynih e ka përshkuar rritjen profesionale si meritë e taktikave të trajnerit.

MESFUSHORI

-”Shtysa e Tomas Tuhelit dhe strategjitë e tij në seancat stërvitore, bashkëngjitur me bisedat e gjata më kanë ndihmuar të përmirësohem. Ai punon deri në detaj dhe kërkon perfeksion, çka na nxit të rrisim tempin dhe planin e përgatitjes. Aktualisht ndihem tepër mirë në Mynih, sigurisht efekti pozitiv i trajnerit ka rëndësinë e vet. Kemi edhe gjysmën e dytë të sezonit dhe grupi ia ka dalë me sukses të bëjë detyrën, ndonëse në duele të caktuara jo gjithçka ka shkuar mirë. Lëndimet në masë mbartin pasojat e tyre, shto mbingarkesën në kompeticione të ndryshme.

Uria e skuadrës nuk njeh limite dhe këtë detaj e kemi dëshmuar. Numri i golave në Bundesligë flet qartë. Impenjimi duke nisur me Hofenhaimin duhet të jetë në shkallën më të lartë. Diferenca krahas Leverkusenit konsiderohet normale, pa harruar faktin se kemi edhe një ndeshje të prapambetur. Të shijojmë pushimet dhe më pas t’i përvishemi punës”, përfundoi besimplotë Xhamal Musiala. Futbollisti i mësipërm dhe Herri Kejn regjistrojnë çmimin më të lartë në treg sipas mediumit ekspert të vlerës “transfermarkt”, 110 milionë euro.

PANORAMASPORT.AL

You may also like