Vritet kandidati për president në Ekuador – Shqip

by admin
Spread the love

I dyshuari u qëllua gjithashtu në një shkëmbim zjarri me policinë dhe humbi jetën në spital për shkak të plagëve

Kandidati per president në Ekuador, Fernando Villavicencio (FERNANDO VILLAVISENSIO) është qëlluar për vdekje në fund të një tubimi. Fernando Villavicencio, një anëtar i Asamblesë Kombëtare të vendit, u sulmua teksa po largohej nga qyteti verior i Kuitos.

Videot e postuara në rrjetet sociale tregojnë kandidatin Villavicencio duke hyrë në një kamion të bardhë teksa qëllohet me armë zjarri.

Ngjarja shkaktoi kaos, njerëzit u munduan të strehohen në ndërtesat përrreth pas të shtënave. Një anëtar i ekipit të tij të fushatës deklaroi për mediat vendase se Villavicencio po hipte në një makinë kur një burrë i doli përpara dhe e qëlloi në kokë. Banorët e Ekuadorit të indinjuar protestuan jashtë klinikës ku kandidati presidencial Fernando Villavicencio humbi jetën.

Dëshmitarët thanë se Villavicencio, 59 vjeç, u qëllua tre herë. I dyshuari u qëllua gjithashtu në një shkëmbim zjarri me policinë dhe humbi jetën në spital për shkak të plagëve. Mediat shkruajnë se nëntë persona mbetën të plagosur, mes tyre edhe një kandidat për Asamblenë dhe dy policë. Presidenti aktual Guillermo Lasso u zotua se “krimi nuk do të mbetet i pandëshkuar“. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është planifikuar të mbahet më 20 Gusht.

Kohët e fundit Ekuadori ka parë një rritje të krimit nxitur nga prania në rritje e karteleve të drogës. Kjo ka qenë një çështje qëndrore në fushatën presidenciale të këtij viti. Muajin e kaluar, Lasso shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe shtetrrethim natën në tre provinca pas një numri vrasjesh të lidhura me krimin e organizuar.

Fernando Villavicencio, nga provinca e Andeve e Chimborazo, ishte një ish-ligjvënës, anëtar i sindikatës në kompaninë shtetërore të naftës “Petroecuador” që denoncoi humbjet shumë milionëshe në kontratat e naftës. Villavicencio gjatë fushatës së tij ishte fokusuar në denoncimin e korrupsionit, një temë që ai e kishte mbuluar gjatë karrierës së mëparshme si gazetar, dhe reduktimin e shkatërrimit të mjedisit.

Javën e kaluar, ai deklaroi se bashkë me ekipin e tij ishin kërcënuar nga kreu i një bande të lidhur me trafikun e drogës.

Klan News

You may also like