(VIDEO) VMRO publikoi dokumentin për “paaftësinë e Kovaçevskit”, reagon kryeministri

by admin
Spread the love

Vetëm njerëz të pandershëm dhe të frikësuar abuzojnë me sfidën shëndetësore të dikujt. Kështu i është përgjigjur akuzave të VMRO-s, kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas publikimit të një raporti mjekësor nga opozita, me të cilin pretendohet se Kovaçevski është i paaftë për të kryer shërbimin ushtarak. Kryeministri në reagimin e  tij ka thënë se opozita po e keqpërdor një intervenim kirurgjik që ai ka pasur para 20 viteve, ndërsa thekson se asnjëherë nuk i ka ikur detyrimit për shërbim ushtarak.

 DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Asnjëherë nuk jam larguar apo nuk kam ikur nga përgjegjësia e shërbimit ushtarak. Vetëm njerëz të pandershëm dhe të frikësuar abuzojnë me sfidën shëndetësore të dikujt dhe ndërhyrjen kirurgjike të 20 viteve më parë për të mbuluar turpin dhe krimin e tyre. Por unë nuk jam i befasuar. Nuk habitem për të gjitha gënjeshtrat e tjera, shpifjet, lajmet e rreme dhe manipulimet nga VMRO-DPMNE”.

Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE sot ka publikuar një dokument, gjegjësisht raport mjekësor, në të cilin shkruan se kryeministri Dimitar Kovaçevski është përgjithmonë i paaftë, për çka edhe nuk mund ta kryej shërbimin ushtarak.

 Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE

“Nëse Kovaçevski ka gënjyer për gjendjen e tij shëndetësore, atëherë ne në krye të shtetit kemi gënjeshtar patologjik, nëse ka gënjyer për t’i ikur shërbimit ushtarak, duke u bërë si i paaftë përgjithmonë, atëherë nuk mundemi as të paramendojmë se për çka tjetër do të gënjente. Nëse ai me të vërtet është i paaftë përgjithmonë, nuk e dimë nëse kjo gjendje tek ai ka pasur progres, dhe nëse është plotësisht funksional për t’i kryer detyrat shtetërore”.

Kovaçki kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Kovaçevski, pasi sipas tij, në të dy rastet, edhe nëse ka gënjyer për gjendjen shëndetësore, por edhe nëse me të vërtet është në atë gjendje shëndetësore, sipas tij, Kovaçevski paraqet rrezik për shtetin.

Emine Ismaili /SHENJA/

You may also like