(Video) “Ta themi sinqerisht, situata për ne do përkeqësohet” – Ish-koloneli rus flet drejpërdrejt në televizionin shtetëror

by admin
Spread the love

Me një kritikë e cila nuk ndodh shpesh që këto kohë të bëhet publikisht në Rusi, për kryerjen e operacioneve ushtarake të Rusisë në Ukrainë, një ish-oficer i lartë rus ka paralajmëruar në televizionin shtetëror se situata do të përkeqësohet.

“Le të mos pimë ‘qetësues informacioni’, sepse ndonjëherë përhapen informacione për ndonjë prishje morale ose psikologjike të forcave të armatosura të Ukrainës, sikur ato janë pranë një krize morali ose një frakture,” tha koloneli në pension Mikhail Khodarenok, në edicionin e së hënës të Rossiya. “Asnjë nga këto nuk është afër realitetit.”

Pavarësisht kundërshtimeve nga drejtuesi i emisionit, Khodarenok tha se Ukraina mund të armatoste një milion njerëz.

“Duke marrë parasysh që ndihma evropiane do të hyjë në fuqi të plotë dhe një milion ushtarë të armatosur ukrainas mund t’i bashkohen luftës, ne duhet ta shohim këtë realitet të së ardhmes së afërt dhe duhet ta konsiderojmë këtë në llogaritjet tona operacionale dhe strategjike. Situata për ne, ta themi sinqerisht, do të përkeqësohet”, tha ai.

Khodarenok, një komentues i rregullt në mediat ruse, komentoi gjithashtu izolimin ndërkombëtar të Rusisë.

“Le ta shikojmë këtë situatë në tërësi nga pozicioni ynë i përgjithshëm strategjik,” tha ai. “Le të mos lëvizim raketat në drejtim të Finlandës – kjo duket thjesht qesharake. Problemi më i madh me situatën tonë ushtarake dhe politike është se ne jemi në izolim total gjeopolitik. Dhe e gjithë bota është kundër nesh – edhe nëse nuk duam ta pranojmë .”

Khodarenok paralajmëroi që përpara se të fillonte pushtimi se do të ishte më e vështirë nga sa shumë të tjerë parashikonin.

Në një artikull në shkurt, ai tha se, “shkalla e urrejtjes (e cila, siç e dini, është karburanti më efektiv për luftën e armatosur) në republikën fqinje ndaj Moskës sinqerisht nënvlerësohet. Askush nuk do ta presë ushtrinë ruse me bukë, kripë dhe lule në Ukrainë.”

“Nuk ka baza serioze të mendohet se forcat ruse do ta mposhtin Ukrainën në një periudhë të shkurtër kohore”, kishte thënë ai.

©Rruga Press

You may also like