(VIDEO) Sindikata dhe Qeveria merren vesh për pagat, nesër mund të nisë mësimi

by admin
Spread the love

Përderisa sot pritet që Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës të merr vendimin e saj përfundimtar për t’i dhënë fund grevës ose jo, një numër i madh i mësimdhënësve janë mbledhur sot para selisë së SASHK-ut, për të shprehur pakënqësin e tyre dhe duan që të mos ndalet greva.

Mësimdhënësit që ishin mbledhur para SASHK-ut  nuk pranuan të flasin para kamerave, por shpreheshin  se rritja e pagave prej 12 për qind është e papranueshme për ata, ndërsa dëshirojnë që të takohen me kryesinë e sindikatës për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov, doli para mësimdhënësve që ishin mbledhur para zyrave të sindikatës. Ai i cilësoi spekulime informacionet së është nënshkruar marrëveshje me Qeverinë dhe se kryesia e sindikatës është korruptuar.

Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK

“Një gjë është e qartë, dje ishim në Qeveri dhe në një deklaratë për media thamë se kemi biseduar dhe se i takon anëtarësisë që të vendos për  propozimet.  Për këtë arsye ende mbahen mbledhje dhe jepet mendimi i anëtarësisë.  Sindikati me 50 plus një votë do të vendosë nëse do ta pranojë apo refuzojë ofertën.  Dhe për këtë, të jeni të sigurt se pa asnjë manipulim vendimet e anëtarësimit do të jenë publike dhe transparente”

Ndërkaq, që ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska tha se në mbledhjen e djeshme përveç dakordimit për rritjen e pagave në 12 për qind, është diskutuar që në vitin 2023 të paguhet K-15, që do të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme kolektive, si dhe një metodologji e re që do të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme kolektive dhe do të reflektohet më tej ne kontratat kolektive të degës, që sipas saj nënkupton rritje të vazhdueshme të pagave në aesim dhe mbrojtejn e fëmijëve.

Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale

“Dje, pas tre orësh e gjysmë bisedë, dialog me përfaqësuesit e SASHK-ut, sot është rënë dakord që kryetari dhe Bordi i SASHK-ut t’i njoftojnë anëtarët e SASHK-ut dhe të gjithë ata të punësuar në institucionet arsimore dhe kopshtet që janë në grevë se është arritur marrëveshja me Qeverinë përkatësisht është  arritur marrëveshja për rritje të pagave prej 12 për qind me pagën e korrikut, pra pas ribalancit. Shpresoj që të gjithë ata që dolën në grevë të kthehen në vendet e tyre të punës”

Gjatë ditës së djeshme, kryesia e SASHK-ut dhe Qeveria arritën marrëveshje për rritjen e pagave për 12 për qind me pagën e korrikut, ndërsa mjetet do të sigurohen nga ribalanci i buxhetit. Nëse anëtarësia e SASHK-ut do të pranojë ofertën e re të Qeverisë, atëherë nxënësit do të kthehen në shkolla.

Greva në arsimin fillor të mesëm dhe në kopshte filloi më 11 prill. SASHK, pati kërkuar rritje të pagave për 18.4 për qind dhe harmonizimin e pagave tjera me pagën minimale. Oferta e parë e Qeverisë ishte 10 për qind rritje të pagave ofertë kjo që u refuzua më pas nga SASHK-u.

Linda Ebibi /SHENJA/

 

You may also like