(VIDEO) Shqipëri-RMV-Serbi, treg i përbashkët pune nga 1 janari, firmosen 5 marrëveshje shtetërore

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Nisma “Ballkani i Hapur” ka vijuar të thellohet me takimin e sotëm në Tiranë të tre udhëheqësve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë –  Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiq. Në këtë takim janë firmosur 5 marrëveshje të reja ndërshtetërore, që parashikojnë:

1-Një treg të përbashkët dhe të lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.

3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.

4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohjen e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohjen e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se marrëveshjet e firmosura sot do të përkthehen në një realitet të prekshëm që në fillim të vitit të ri.

EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
“Kemi nënshkruar një sërë marrëveshjesh që janë finalizimi i një pune të përbashkët intensive dhe që si jo gjithmonë për vetë natyrën e marrëveshjeve, këto të firmosura sot janë një realitet i prekshëm nesër dhe jo nesër në të ardhmen, por nesër me hyrjen e vitit të ri 2022. Marrëveshja për tregun e lirë të punës, e cila sanksionon mundësinë dhe të drejtën e qytetarëve të të treja vendeve për të pasur akses të menjëhershëm dhe të barabartë për lejet e punës dhe të qëndrimit”.

Sipas kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, marrëveshjet e reja do të ndikojnë pozitivisht edhe për zhvillimin e bujqësisë, e cila përbën 12% të bruto prodhimit vendor të tre vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Ne do të përpiqemi që të kemi barazi standardesh, ne besojmë që do të forcojmë bashkëpunimin mes tre vendeve dhe të shtojmë eksperiencën e vendeve te njëri-tjetrit. Bujqësia është një fushë që duhet t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë dhe në nismën e Ballkanit të Hapur ne duhet që të kemi një bashkëpunim të thelluar, dhe kam bindjen se nga ky forum do të dalim me nisma të tjera”.

Zgjerimi i tregut të punës do të sjellë më shumë investitorë të huaj, ndërsa me marrëveshjet e reja lehtësohet edhe tregtia, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

 ALEKSANDAR VUÇIQ, PRESIDENT I SERBISË
“Ne do ta zgjerojmë tregun e punës duke tërhequr më shumë kompani që vijnë nga perëndimi, se do t’u ofrojmë më shumë krahë pune, kjo do të jetë e rëndësishme në të ardhmen. Ky është themeli, baza e vërtetë e zhvillimit më të mirë ekonomik të të treja vendeve tona. Kemi dëgjuar bizneset e të treja vendeve tona. Tregtia do të jetë më e lehtë, janë çështje tejet të rëndësishme për shumë nga qytetarët tanë, ne të tre së bashku ose të gjithë së bashku do të duhet të diskutojmë hapat e mëtejshëm, sepse njerëzit dëshirojnë të shikojnë më shumë rezultate”.

Ndërkohë përmes një video lidhje edhe komisari evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Oliver Varheji përshëndeti nismën dhe konfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për të.

OLIVER VARHEJI, KOMISAR EVROPIAN
“Mund të më përfshini si mbështetës të Ballkanit. Ne (BE) mendojmë që në bazë të rregullave e vlerave të BE, çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur por dhe në të mirë të të dyja palëve, në të mirë të Ballkanit dhe Bashkimit Europian”.

Të tre liderët edhe një herë ftuan 3 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën dhe Malin e Zi që t’i bashkohen nismës. Takimi i radhës do të mbahet në shkurt në Maqedoninë e Veriut.  /SHENJA/

 

 

You may also like