(VIDEO) Sali: Vetëm 25 % e mjekëve amë janë në grevë

by admin
Spread the love

Disa prej mjekëve amë kanë hyrë në ditën e dytë të grevës, e cila pritet të zgjasë deri nesër. Mjekët amë kanë vendosur që përmes grevës të mos japin udhëzime dhe receta për tre ditë, me kërkesë për rritjen e pikëve të kapitacionit. Krahas rritjes së pikëve, ata kërkojnë ndër të tjera sistemin e shëndetësisë elektronikе, fshirjen e shkallës dekurajuese, rritjen e buxheteve për specialistët. Kërkohen laboratorë edhe për klinikat rurale dhe t’u lejohet mjekëve që duan të punojnë edhe mbi moshën 64 vjeçare.

Mjekja amë në AE-Medika,   Mervisa Beqiroviq, për televizionin Shenja deklaroi se janë mirënjohës për pacientet të cilët i mirëkuptojnë përderisa janë në grevë. Ajo  tha se kushte më të mira për mjekët amë, nënkupton edhe shëndet më të mirë për pacientët.

MERVISA BEQIROVIQ-MJEKE AMË

“Secili mjek është në vendin e tij të punës në ambulantë. Pranojmë vetëm raste urgjente, d.m.th pranojmë pacientë të tjerë që me të vërtet kanë nevojë. Sa më shpejtë që do të plotsohen kërkesat tona dhe të mbarojë greva, do të jetë ma mirë për të gjithë”.

Ekipi Televizionit Shenja, vizitoi edhe disa ambulanta tjera, ku kishte disa prej tyre që nuk ishin në grevë, por mjekët amë të cilët nuk ishin në grevë,  nuk deshtën të flasin para kamerave, për të treguar arsyet e tyre. Ndërkaq, një gjë të tillë e pohoi edhe Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, i cili thekson  se jo të gjithë mjekët amë janë në grevë.

BEKIM SALI-MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Ligji është në fazën e fundit të rishikimit. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me odën e mjekëve. Unë vlerësoj se duhet të jeni të informuar që jo të gjithë mjekët amë janë në grevë. Kjo nuk është protestë por është grevë, me shprehjen e revoltës për 3 ditë ndaj politikave të cilat i ndjek Ministria e Shëndetësisë. Unë edhe në periudhën e kaluar kam bërë thirrje që të bisedojmë dhe të bashkëpunojmë, pasi pacientët nuk duhet të jenë viktimë të disa politikave të cilat vonohen pak”.

Ndërsa, kryetarja e Shoqatës së mjekëve privat,  dr. Lilia Çollakova-Dervishova, për MIA-n thotë se ende nuk janë kontaktuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë ose nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.

LILIA ÇOLLAKOVA-DERVISHOVA, KRYETARE E SHOQATËS SË MJEKËVE PRIVAT

“Ne tre ditë do ta durojmë, për ta përmirësuar statusin dhe për ta kthyer dinjitetin e punonjësve shëndetësorë. Duhet t’i mbajmë të rinjtë këtu. Kërkesat janë ato, ndërsa prioritet janë ngritja e pikës së kapitacionit. Duhet të sillet vendim në nivel të Qeverisë, ose të Ministrisë së Financave”.

Sipas saj, shpenzimet e përgjithshme të mjekëve privatë janë shumë të larta dhe vazhdimisht mbeten jashtë buxhetit dhe kjo ka bërë që mjekët amë të futen në grevë, por nëse nuk gjejnë gjuhë të përbashkët do të vazhdojnë edhe me protesta.

Samir Mustafa /SHENJA/

You may also like