(VIDEO) Rama: Erdogan, shembull i politikanit që e mban fjalën

by admin
Spread the love




Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan është pritur sot në vizitë zyrtare në Tiranë me nderimet më të larta nga kreu shtetëror shqiptar. Gjatë vizitës së tij, presidenti turk dorëzoi çelësat e 522 banesave të reja, donacion nga Turqia për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-tës. Duke folur nga Laçi, ku janë ndërtuar banesat me financim turk, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan theksuan vëllazërinë mes dy popujve, por edhe mes tyre personalisht. Rama madje tha se tek Erdogan ka gjetur politikanin e rrallë që i qëndron fjalës prapa.

EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
“Është shumë e vështirë të gjesh njerëz në politikë që ‘Po’-në e kanë Po dhe ‘Jo’-në e kanë Jo. Presidenti Erdogan e mban fjalën. Kuptimi që ai i jep me vrap fjalës ‘vëllazëri’ është mishërimi i asaj që thotë Profeti Muhamed: ‘Asnjë nga ju nuk beson nëse nuk dëshiron për vëllanë e vet të njëjtën gjë që dëshiron për veten e vet’”.

Presidenti Erdogan nga ana tjetër tha se Turqia ishte ndër vendet e para që angazhoi të gjitha kapacitetet për të ndihmuar Shqipërinë gjatë tërmetit, duke dëshmuar për miqësinë mes dy vendeve.

REXHEP TAIP ERDOGAN, PRESIDENT I TURQISË
“Si tha dhe miku im Edi Rama, vëllai i qëndron vëllait kur ka nevojë, jo kur thirret. Pas tërmetit ne kemi dërguar në Shqipëri të gjitha materialet e ndihmës së shpejtë dhe ekipet teknike, me mikun tim Edi Rama me të cilin ishim në kontakt të vazhdueshëm kemi ndjekur ecurinë e punimeve. Unë jam aktivizuar dhe morëm iniciativa që përgjatë këtij procesi, filluam kontaktet tona me ndërkombëtarët. Fakti që Turqia ishte një nga shtet e para që ndihmoi Shqipërinë tregon qartë miqësinë mes nesh. Për të lehtësuar sadopak dhimbjen e të prekurve vendosëm bashkë me Ramën për të firmosur një memorandum mirëkuptimi, që shtëpitë e rrënuara të bëheshin nga zero”.

Përveç banesave për të dëmtuarit nga tërmeti, Turqia financoi edhe ndërtimin e Spitalit Rajonal të Fierit, një investim 70 milionë eurosh. /SHENJA/


You may also like