(VIDEO) Prezantohet kalkulatori për çmimin e ri të energjisë elektrike

by admin
Spread the love




Komisioni Rregullator i Energjetikës prezantoi sot kalkulatorin online për kalkulimin e faturës së energjisë elektrike me modelin e ri tarifor. Modeli i ri favorizon familjet që shpenzojnë më pak energji elektrike, ndërsa ndëshkon konsumatorët më të mëdhenj. Konsumatorët do të ndahen në 4 blloqe, ata që shpenzojnë më pak se 210 kilovat-orë përbëjnë bllokun e parë, 210 deri 420 kilovat-orë përbëjnë bllokun e dytë, 420 deri 630 kilovat orë bllokun e tretë dhe mbi 630 kilovat-orë të shpenzuara hyn në bllokun e katërt, më të shtrenjtë të konsumatorëve.

MARKO BISLIMOVSKI, KRYETAR I KRRE
“Sot do të prezantojmë kalkulatorin me të cilin secili konsumator do të mund të kontrollojë se çfarë do të thotë modeli i ri në krahasim me modelin e vjetër. Vetë kalkulatori do të tregojë dallimin. Me këtë sistem tarifor nuk mund të zgjidhen të gjitha problemet në sektorin e elektroenergjetikës, nuk mund të zgjidhen as problemet që nuk i kanë zgjidhur vetë qytetarët në 30 vitet e fundit”.

Ky sistem, sipas Komisionit Rregullator, ka për qëllim të inkurajohet vëmendja dhe kursimi i energjisë elektrike, pasi prodhimi në vend është shumë i limituar dhe varet kryesisht nga hidrocentralet.

MARKO BISLIMOVSKI, KRYETAR I KRRE
“Nuk kemi naftë, nuk kemi gas natyror, kemi hidroenergji e cila varet nga Zoti. Prodhimi në termoelektrana duhet të shfrytëzohet deri sa e kemi qymyrin, por çmimi i prodhimit për këtë cilësi të qymyrit do të rritet. Gjithashtu, një pjesë e qymyrit edhe importohet”.

Llogaritja e modelit të ri tarifor të energjisë elektrike fillon nga 1 korriku i këtij viti. Qytetarët prej sot mund të kalkulojnë faturat në bazë të kilovat-orëve që shpenzojnë zakonisht, në kalkulatorin online në faqen e Komisionit Rregullator për Energjetikë. /SHENJA/

 


You may also like