(VIDEO) Popullsia e Maqedonisë së Veriut do të zvogëlohet nga 1.8 milionë në 1.2 milionë banorë

by admin
Spread the love

Sipas projeksioneve të Entit Shtetëror të Statistikave, deri në vitin 2070 popullsia do të zvogëlohet nga 1.8 në 1.2 milion banorë. Kështu bëri të ditur presidenti i shtetit Stevo Pendarovski dhe fajin për këtë e vendos tek migracioni dhe korrupsioni në vend.

Stevo Pendarovski, president

“Nga tre parametrat demografik-nataliteti, mortaliteti de migracioni, më shqetësues është i treti. Të paktën tani, rënia e popullsisë është shumë më tepër për shkak të shkallës së lartë të emigrimit, sesa shkallës së ulët të natalitetit. Raporti botëror i migracionit për vitin 2020 e rendit Maqedoninë e Veriut në mesin e 20 vendeve me shkallën më të lartë të emigrimit. Sipas shumë njerëzve, një nga shtytësit më të mëdhenj të emigracionit është korrupsioni”.

Sipas drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikave Apostol Simovski, qëllimi i projeksioneve është që të gjithë ne ti kemi sytë hapur për pasojat që mund t’i kemi sa i përket trendve demografike.

Apostol Simovski, drejtor i Entit për Statistika

“Qëllimi i projeksioneve është që ti shohim pasojat dhe ato që janë dhe do të jenë përgjegjës të krijojnë strategji dhe politika për ti realizuar, ta dijnë se çfarë mund të na presë. Kuptohet, asnjë nga ne, së pari unë, nuk do të doja asnjë nga këto hipoteza të realizohen, do doja të kemi trende demografike sa më pozitive, e ardhme më e mirë demografike, por duhet t’i hapim sytë”.

Këto projeksione sipas zëvendës kryeministrit për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqit, janë një alarm për masat dhe politikat që duhet shteti t’i ndërmarrë.

Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për Çështje Ekonomike

“Këto projeksione të popullsisë, janë vetëm projeksione, jo domosdoshmërisht do të realizohen, sepse periudha në të cilën po përgatiten është vërtetë e gjatë. Por, për në janë një paralajmërim dhe alarm për marrje të vendimeve dhe politikave që zbusnin trendin”.

Projeksionet janë nën supozimin se nuk do të ketë luftëra në vend dhe rajon, do të ketë një situatë normale dhe të qëndrueshme politike të brendshme, në gjysmën e parë të viteve 2030 do të përfundojë procesi i anëtarësimit në BE, do të të ketë zhvillim ekonomik dhe nuk do të ketë situata të mëdha shëndetësore.

Emine Ismaili /SHENJA/

You may also like