(VIDEO) Petkov: Brukseli na mbështet, topin e kemi hedhur në Shkup

by admin
Spread the love




Brukseli për herë të parë i përkrahë pozicionet e Bullgarisë në kontestin me Maqedoninë e Veriut. Këtë e thotë kryeministri bullgar Kiril Petkov, duke shpjeguar zhvillimet e fundit në një intervistë për median bullgare BNR. Sipas Petkovit, fakti që pozicionet bullgare janë të mbrojtura nga Brukseli paraqet sukses të madh të diplomacisë bullgare. Ai tha se pas kalimit të propozimit francez në Parlamentin bullgar, tani përgjegjësia për fillimin e bisedimeve është te Maqedonia e Veriut.

KIRIL PETKOV, KRYEMINISTËR I BULLGARISË
“Shkupi tashmë ka zgjidhje për ardhmërinë e vet. Bullgaria ka arritur të mbrojë interesat nacionale pas votimit pro propozimit francez në Parlamentin bullgar. Pas kësaj, Sofja nuk mund të mbajë përgjegjësi se çfarë ndodh më tej me procesin integrues”.

Petkov gjithashtu shpjegoi se pse propozimi francez është i rëndësishëm për Bullgarinë. Aty përfshihet njohja e pakicës bullgare në Kushtetutë para fillimit të bisedimeve, luftimi i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit ndaj bullgarëve dhe korrigjimi i fakteve historike në kurrikulat shkollore në Maqedoninë e Veriut.

KIRIL PETKOV, KRYEMINISTËR I BULLGARISË
“Nëse Maqedonia e Veriut pajtohet me propozimin francez, në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut do të përfshihen bullgarët para fillimit të negociatave. E dyta, kemi mekanizma të qarta kontrolli për gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin. E treta, kemi definicione të qarta për faktet historike dhe arsimin në shkollat e Maqedonisë së Veriut”.

Por pikërisht çështja e hapjes së Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare para fillimit të bisedimeve si dhe përfshirja e komisionit historik në kornizën negociuese me BE-në janë dy gjërat që e bëjnë propozimin francez të papranueshëm për Maqedoninë e Veriut. Zyrtarët e Qeverisë thonë se nëse këto dy gjëra sheshohen deri në fund të presidencës franceze me BE-në, e cila përfundon më 30 qershor, atëherë propozimi bëhet i pranueshëm edhe për Shkupin. Në të kundërtën, pozicioni i tanishëm është se propozimi francez kështu siç është nuk pranohet nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. /SHENJA/

 


You may also like