(VIDEO) Pendarovski: Me ndryshimet e Kodit Penal nuk ka amnisti të fshehur

by admin
Spread the love

Presidenti i vendit Stevo Pendarovski e konteston tezën se ndryshimet në Kodin Penal janë bërë për të kthyer ish kryeministrin, Nikolla Gruevskin,  në vend. I pari  i shtetit thotë se “në asnjë rrethanë” nuk do të jepte amnisti si ish presidenti Gjorge Ivanov, por konfirmoi se i janë qasur me kërkesë për amnisti të Gruevskit nga kryesia e partisë më të madhe opozitare. Ai në emisionin “VIN VIN” në Televizionin Tellma, shtoi se  edhe po të ketë ndonjë plan për kthimin e Gruevskit, nuk do të kalojë përmes tij.

STEVO PENDAROVSKI,PRESIDENT I MAQEDONISË SË VERIUT

“Nuk kam plan A apo plan B. Unë nuk jam pjesë e asnjë plani. Kemi një muaj ligjin në fuqi, dekret të nënshkruar. Ku është Gruevski? Si u kthye? Ku është amnistia e fshehur? Mediat spekulojnë se Gruevski do të kthehet me mendim juridik parimor të Gjykatës Supreme. Atëherë pse janë ndryshimet në Kodin Penal, nëse mjaftoi miratimi i tyre që të kthehet”.

Duke folur për ndryshimet në Kodin Penal, Pendarovski tha se nuk janë të vërteta formulimet në media se bien ose vjetërohen më shpejtë lëndët e ish Prokurorisë Speciale Publike. Më pas ai shtoi se askush nuk i është afruar drejtpërdrejt për të kërkuar amnisti për ish kryeministrin , por sipas tij e gjithë kjo është bërë me ndërmjetës.

Presidenti i shtetit në lidhje me vërejtjet se ndryshimet në Kodin Penal janë miratuar me nxitim dhe ka vënë menjëherë nënshkrimin, tha se nuk i di motivet e Qeverisë, por shtoi se një kod i ri është duke u përgatitur që do të përmbajë një nen që do të trajtojë keqpërdorimet.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

 

MARKETING



You may also like