(VIDEO) O’Brien: Rusia t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të OSBE-së

by admin
Spread the love

 

Samiti i 30 i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut ka nisur punimet këtë të enjte me pjesëmarrjen e diplomatëve të 57 vendeve anëtare.  Në samit po merr pjesë për herë të parë pas nisjes së luftës në Ukrainë edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Pjesëmarrja e tij ka nxitur debate dhe reagime të shumta. Ukraina dhe vendet baltike kanë bojkotuar takimin, duke mos dërguar në Shkup asnjë përfaqësues. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund shkeljes së parimeve të OSBE-së. “Unë shtoj zërin tim, me atë të kolegëve, të cilët i bëjnë thirrje Rusisë, që t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të kësaj organizate, por nuk jam i sigurt nëse ajo është ende e gatshme të na dëgjojë”, ka thënë O’Brien. Ai ka theksuar se pavarësisht atyre shteteve që janë përpjekur të bllokojnë punën e organizatës, OSBE-ja do të vazhdojë të funksionojë.

James O’Brien

“Tani është zgjedhje e shteteve që janë përpjekur të bllokonin punën e kësaj organizate, për të parë gatishmërinë e tyre nëse do të qëndrojnë me komunitetin e civilizuar, bazuar në aktin final të Helsinkit, apo duan të vazhdojnë pengesat e tyre. OSBE-ja do të jetë mirë, prapëseprapë, por, ka rëndësi për ta të zgjedhin, nëse do të vazhdojnë të jenë me ne në këtë përpjekje”.

 

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në fjalimin e saj në samitin e OSBE-së në Shkup ka reaguar për mungesën e pranisë së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, derisa po mbante fjalimin e saj para pjesëmarrësve të samitit.

 

Annalena Baerbock

“Kësaj here në këtë sallë është e përfaqësuar edhe Rusia, edhe pse jo ministri i saj, i cili ka ardhur vetëm për të folur e jo për të dëgjuar të tjerët, unë ju them – ndaloni këtë luftë, e cila është e drejtuar edhe kundër OSBE-së,…..Bashkëpunimi në kuadër të organizatës duhet të forcohet më tej me gjithë pengesat që Rusia ka vendosur për më shumë se një vit. Fakti që Rusia dështoi të shkatërrojë OSBE-në, është një kontribut i rëndësishëm për rendin tonë të paqes dhe ky rend paqeje duhet të vazhdojë”.

 

Punimet e Samitit nisën jozyrtarisht  të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në qendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Blinken u largua pas darkës joformale.  Përpara largimit, Blinken u takua me ministrin e punëve të Jashtme të Maqedonisë së veriut, të cilin e falënderoi për kryesimin e suksesshëm të OSBE, ndërsa nuk bëri asnjë koment për pjesëmarrjen e Lavrov.   Ndryshe nga Blinkën përfaqësuesi i lartë i BE për politikën e jashtme, Josep Borrell, foli për praninë e përfaqësuesit rus. Njësoj si sekretari amerikan i shtetit, edhe Josep Borrell u largua nga Shkupi gjatë mbrëmjes së të mërkurës për të shmangur praninë e tij në të njëjtën sallë me kryediplomatin rus.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING



You may also like