(VIDEO) Nisi ndërtimi i pjesës lindore të korridorit 8

by admin
Spread the love

Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski së bashku me kryeminstrin e  Bullgarisë Galab Donev, të shoqëruar nga ministra të të dyja qeverive, përfaqësues të delegacionit të BE-së dhe BERZH-it, vendosën gurëthemelin e hekurudhës dhe  fillimin e ndërtimit të pjesës lindore të Korridorit 8.

Kovaçevski deklaroi se ndërtimi i korridorit 8 do të nënkuptojë lidhje infrastrukturore të Ballkanit, por edhe rritje ekonomike dhe zhvillim të vendeve të rajonit.

DIMITAR KOVAÇEVSKI-KRYEMISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

“Sot vazhdojmë me realizimin e qëllimit me rëndësi kombëtare, strategjike dhe ndërkombëtare për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sot këtu shënojmë fillimin e ndërtimit të pjesës lindore të Korridorit 8 hekurudhor nëpër Maqedoninë e Veriut – seksioni Kumanovë – Beljakovcë – Kriva Pallankë, që nënkupton infrastrukturë moderne hekurudhore evropiane në Maqedoninë e Veriut, por edhe zhvillim të përshpejtuar rajonal dhe ekonomik”.

Sipas të parit të qeverisë, projekte të tilla kapitale janë projekte për gjeneratat e ardhshme dhe me to Maqedonia e Veriut lidhet me korridoret hekurudhore evropiane.

DIMITAR KOVAÇEVSKI-KRYEMISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

“Prandaj, këtu, para jush, pohoj me përgjegjësi se e vetmja mundësi që kemi është të dyfishojmë përpjekjet dhe të punojmë shumë. Dhe le t’i bëjmë të gjitha këto me miqtë tanë, me fqinjët tanë, me BE-në. Sigurisht që mund të flasim pse diçka nuk mund të bëhej apo si duhej bërë. Por ne gjithashtu kemi mundësinë të zgjedhim të punojmë dhe të ecim përpara, të zgjedhim rrugën më të mirë, ose në këtë rast rrugën më të mirë drejt së ardhmes evropiane”.

Kjo krizë ekonomike dhe energjetike me të cilën po përballet vendi dhe rajoni, Kovaçevski tha se  e ka bërë të qartë se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe lidhja rajonale dhe fqinjësia e mirë.

Kryeministri bullgar Galab Donev tha se Korridori 8, i cili ka qenë dëshira e shumë brezave, do të kontribuojë në zhvillimin e të gjithë rajonit dhe do të jetë një lidhje e rëndësishme komunikimi midis Bullgarisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut  dhe Shqipërisë, si dhe midis biznesit të të tre shteteve.

Pjesa  Beljakovce-Kriva Palanka po ndërtohet me ndihmën financiare të BE-së të ofruar përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Granti i financuar nga BE-ja,  prej 75 milionë euro, i plotësuar nga një kontribut kombëtar prej 1 milionë eurosh. Punimet do të kryhen nga tetori 2022 deri në fund të vitit 2025. Një grant shtesë i financuar nga BE-ja  prej 210 milionë eurosh është planifikuar për përfundimin e Korridorit 8 hekurudhor deri në kufirin me Bullgarinë.

Samir Mustafa /SHENJA/

You may also like