(VIDEO) Mickoski i sugjeron Xhaferit të kontrollohet tek mjeku

by admin
Spread the love

Vazhdojnë reagimet për incizimin e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili dëgjohet duke sharë dhe bërtitur ndaj punonjësve të Kuvendit, sipas opozitës. Kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski tha sot se i vjen turp që e njeh Xhaferin, ndërsa shprehet i dëshpëruar për mungesën e përgjegjësisë nga kryeparlamentari si dhe heshtjen e kryeministrit.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Më vjen turp që e njoh atë njeri, më vjen turp që kështu më bëri jeta ta takoj atë burrë dhe vërtet nuk arrij ta kuptoj se çfarë e mban Kovaçevskin në vesh të shurdhër dhe sy qorr. Duhet të heshtë për atë që ka kapur dhe të durojë këtë turp dhe këtë poshtërim, si personalisht ashtu edhe qytetarët. Sepse fyen nënën e punonjësve që mund të jenë maqedonas që janë shqiptarë, turq, serbë, vllehë, boshnjakë, nuk ka rëndësi, ai kështu shan nënën. As përgjegjësi, as askush nuk tha asgjë”.

Ndërkohë kryeministri Kovaçevski edhe sot nuk ka komentuar incizimin e kryeparlamentarit Xhaferi. I pyetur se çfarë dallon incizimi i Talat Xhaferit me bombat të cilat i publikonte LSDM-ja, Kovaçevski tha se ajo është punë e organeve gjyqësore dhe ai si kryeministër nuk do të komentojë.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Thash se nuk shihet kush me kë flet dhe për këtë arsye nuk mund të komentoj, koment duhet të kërkohet në Kuvend. Sa u përket incizimeve të mëhershme, praktika gjyqësore thotë se vendimet gjyqësore merren në bazë të dëshmive materiale në procedurë gjyqësore. Unë nuk mund t’i komentoj as ato incizime të mëhershme, sepse këtë e bëjnë organet gjyqësore”.

Para dy ditësh, VMRO DPMNE u shpërndau mediave një audio incizim, ndërsa sipas përshkrimit të tyre dëgjohet kryeparlamentari Xhaferi duke sharë dhe ofenduar punonjësit e Kuvendit. /SHENJA/

You may also like