(VIDEO) Mickoski bën thirrje për unitet kombëtar

by admin
Spread the love

Kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski sërish i ka bërë thirrje LSDM-së për unitet kombëtar për çështjet me rëndësi nacionale. Sipas tij, kohët të cilat po kalon vendi janë përplot stuhi dhe ka nevojë për unitet më të gjerë për çështjet e identitetit, integrimit dhe kontestin me Bullgarinë. Por, Mickoski thotë se tek pala tjetër, LSDM-ja, nuk sheh gatishmëri për arritjen e një pozicioni të përbashkët nacional për këto çështje.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Në njërën anë jemi ne me popullin, në anën tjetër qeveria bashkë me ministrat. Për të gjithë ka vend në shtëpi, me një kulm të përbashkët, prandaj duhet të japim dorën në situatë kur kemi stuhi dhe tundime dhe kjo vetëm për çështjet që janë të rëndësisë nacionale dhe shtetërore. Ajo që më shqetëson është se në vazhdimësi, pikërisht LSDM dhe pasardhësi i zaevizmit, Kovaçevski çdo ditë e më shumë largohen nga nevoja për konsensus nacional, për çështje që janë thelbësore për popullin dhe ardhmërinë e përbashkët”.

Kreu i VMRO DPMNE-së dyshon se arsyeja pse LSDM nuk dëshiron ndërtimin e pozicioneve të përbashkëta nacionale është se ata tashmë kanë arritur ndonjë marrëveshje të fshehtë me Bullgarinë. Ai e bëri të qartë se një Qeveri e ardhshme e udhëhequr nga VMRO DPMNE nuk do ta respektonte një marrëveshje të tillë.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Nuk e di përse është e panjohur për Kovaçevskin që të arrijmë unitet kombëtar. Nëse janë marrë vesh në mënyrë të kontrabanduar me Bullgarinë, atëherë këtë duhet ta thonë qartë që tani, sepse qeveria e ardhshme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, marrëveshje të tillë të kontrabanduar nuk do ta respektojë. Jam i gatshëm të kapërcej çdo dallim, vetëm qeveria të mbrojë interesat kombëtare nëse tashmë nuk i ka shitur”.

Mickoski madje i bëri thirrje LSDM-së që të dëshmojë se janë për unitet duke përkrahur Deklaratën për Goce Dellçevin, të propozuar nga VMRO DPMNE-ja në Kuvend. Por pikërisht sot në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme, deputetët e pushtetit kanë votuar për heqjen e Deklaratës së Goce Dellçevit nga rendi i ditës. /SHENJA/

 

 

 

 

You may also like