(VIDEO) Manipulues nga Velesi mashtrojnë qytetarët amerikanë duke u shitur imazhin e Trumpit

by admin
Spread the love

Pas historisë së madhe se Donald Trump fitoi zgjedhjet e mëparshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara me ndihmën e qytetarëve të Velesit, e njëjta po ndodh përsëri tani, para zgjedhjeve të reja në Amerikë, duke mashtruar dhe shitur “miliona” karta që do të kishin vlerë kur Trump të fitoj, zbulon  Radio Europa e Lirë.

“Viktima”e fundit e kësaj ngjarje është një gjyshe  86 vjeçare, Anna Bratton, nga Shtetet e Bashkuara, e cila mendoi se kishte gjetur një aksion, ku do të investonte gjashtë mijë dollarë dhe do të fitonte katër milionë. Ajo nuk e kishte idenë se pas reklamës për blerjen e “kartelave të Trumpit”, që e bëri të humbiste mijëra dollarë, qëndronte një grup njerëzish nga qyteti Veles në Maqedoninë e Veriut, i cili tashmë ka fituar një reputacion famëkeq pas përdorimit të emrit të ish presidentit të Amerikës.

“Sigurohuni të na shkruani për t’ju dhënë udhëzime specifike se si t’i mashtroni amerikanët”, thotë një mesazh në gjuhën maqedonase në një kanal të mbyllur të Telegramit, i cili mund të hapet vetëm me miratimin e administratorëve, në mesin e të cilëve janë shitësit e Velesit.

Pas disa muajsh hulumtime dhe infiltrimi në grupe të mbyllura në platformën Telegram, Radio Evropa e Lirë identifikoi 69 individë që krijuan oferta mashtruese për shitjen e kartelave të debitit me imazhin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Gazetarët gjetën edhe 88 ueb-faqe aktive në kohën e shkrimit të hulumtimit, përmes të cilave ofrohen produkte për “patriotët amerikanë”.

Numri i shitësve që komunikojnëme klientët, mund të jetë shumë më i lartë, sepse disa kanale të mbyllura në Telegram kanë mesatarisht nga rreth 300 anëtarë.

Radio Evropa e Lirë i dërgoi disa emaile shërbimit për media të fushatës së Donald Trumpit, për ta pyetur nëse është në dijeni për ngjarjet që lidhen me shitjen e kartelave të pavlera dhe nëse planifikon të ndërmarrë diçka në këtë drejtim. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Velesi – me pak më shumë se 45.000 banorë – u bë i famshëm para zgjedhjeve amerikane të vitit 2016, kur mediat botërore zbuluan se në këtë qytet ishin krijuar më shumë se 100 ueb-faqe politike, të cilat përhapnin lajme të rreme dhe favorizonin politikën e Trumpit. /SHENJA/

You may also like