(VIDEO) Makron zyrtarisht në krye të BE-së

by admin
Spread the love

Presidenti franzez Emanuel Makron është tashmë edhe zyrtarisht personi më i fuqishëm në Bashkimin Evropian. Vendi i tij që nga sot e nis kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian, ndërsa përballet me shumë sfida, përfshirë edhe atë të zgjerimit. Kjo pikë është e rëndësishme sidomos për Maqedoninë e veriut edhe Shqipërinë, të cilat nuk kanë arritur të marrin datën, edhe për faj të presidentit francez, i cili dy vjet më parë e promovoi të ashtuquajturën “Metodologji e re e zgjerimit”, dhe e cila u bë shkak për bllokimin e Tiranës dhe të Shkupit.

Në nëntor të vitit 2019, në Paris ishte për vizitë presidenti Stevo Pendarovski. Presidenti francez atëherë e bëri të qartë se dhënia e datës do të shtyhej derisa të përpunohej metotologjia e re e zgjerimit. Presidenti Pendarovski gjatë takimit ka insistuar se Maqedonia e Veriut nuk pranon asnjë alternativë tjetër përpos anëtarësimit të plotë në BE, me te cilën gjë është pajtuar edhe Makron.

Gjithashtu, presidenti francez Makron në një konferencë të përbashkët me kryeministrin në dorëheqje Zoran Zaev, të mbajtur në Paris  në qershor të vitit që lamë pas, tha se Maqedonia e Veriut e meriton t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në BE. “Vendi juaj meriton t’i fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian, pa anulim. Jam i gatshëm që ta përkrah në mënyrë aktive kërkimin e një kompromisi të baraspeshuar për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë”, deklaroi Makron në konferencën e përbashkët për shtyp me Zaevin.

Ndërkohë, tashmë pas marrjes së Presidencës së BE-së, Makron po e rithekson angazhimin e tij që BE-ja të jetë fuqi më e fortë botërore, teksa kërkon që 27 shtetet e bllokut të jenë më të bashkuara.

“Nëse do ta përmblidhja me një fjali qëllimin e kësaj presidence, do të thosha se ne duhet të kalojmë nga një Evropë bashkëpunimi brenda kufijve tanë në një Evropë të fuqishme në botë, plotësisht sovrane, e lirë të zgjedhë rrugën e saj dhe ta zotërojë fatin e vet”, deklaroi Makron.

Për Makron, një Evropë sovrane do të thotë, mbi të gjitha, aftësi për të menaxhuar kufijtë e saj. Mbrojtja e kufijve është një kusht i domosdoshëm për sigurinë e evropianëve, për të përballuar sfidën e emigrantëve dhe për të shmangur situata të tilla si sulmi hibrid ndaj Bjellorusisë, i cili solli mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe i dërgoi në kufijtë e BE-së. Prandaj, reforma “Shengen” është një nga prioritetet kryesore të Presidencës së ardhshme franceze.

Me presidencën franceze, fillon një treshe e re presidenciale, e përbërë nga Çekia, e cila do të kryesojë në gjysmën e dytë të vitit dhe Suedia, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.  /SHENJA/

 

You may also like