(VIDEO) KSHZ: Në rrethin e dytë nuk do të ketë probleme teknike

by admin
Spread the love

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se të dielën nuk priten radhë para vendvotimeve si në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. KSHZ do të angazhojë 400 profesionistë për përkrahje teknike në vendvotime, për të evituar problemet me aparatet për identifikim biometrik, të cilat u paraqitën në raundin e parë.

Kryetari i KSHZ-së Aleksandar Dashtevski paralajmëron se rrethi i dytë do të realizohet pa probleme dhe pa vonesa. Ai thotë se përvoja e parë me aparatet biometrike i ka mundësuar KSHZ-së të jetë më e përgatitur për rrethin e dytë, por edhe materiali zgjedhor do të jetë më pak voluminoz.

Sot nga shtëpia botuese “Kiro Dandaro” në Manastir është marrë materiali konfidencial zgjedhor për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Janë shtypur gjithsej 1.6 milionë letra material zgjedhor dhe gjatë ditës do të shpërndahen nëpër komisionet komunale ku do të ketë votim.

Të dielën do të votohet në 44 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Në 40 komuna do të ketë rreth të dytë, në Mavrovë dhe Rostushë dhe Qendër Zhupë do të ketë përsëritje të rrethit të parë për shkak të daljes nën pragun ligjor prej 33%, ndërsa në Dibër dhe Shuto Orizarë do të ketë rivotim në nga një vendvotim. Në rreth të dytë shkojnë të gjitha komunat urbane me shumicë shqiptare, nisur nga Tetova, Çairi, Gostivari, Struga dhe Kërçova. /SHENJA/

You may also like