(VIDEO) Krerët e Ballkanit me ide për rajonalizimin e tregut energjetik

by admin
Spread the love

Burimet e ripërtërishme të energjisë janë e ardhmja e rajonit, investimet në tranzicionin e gjelbër janë të rëndësishme. Kështu ka deklaruar kryeministri Dimitar Kovaçevski nga Beogradi, ku po mbahet konferenca rajonale “Mundësitë në zhvillimin e energjisë së rinovueshme në Ballkanin Perëndimor”. Kovaçevski ka shtuar se Maqedonia e Veriut punon intensivisht në sigurimin e stabilitetit dhe pavarësisë energjetike, për të cilat ka miratuar masa dhe modele në afat të shkurtër dhe afatgjatë, por edhe Strategji të re për investime në energjinë e gjelbër.

 

Dimitar Kovaçevski, kryeministër

 “Maqedonia e Veriut është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që miratoi Strategjinë për zhvillimin e sektorit energjetik në vitin 2019, bazuar në shtyllat e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së. Ne jemi vendi i parë që zbaton një projekt për zëvendësimin e termocentralit të vjetër me qymyr në Osllome të Kërçovës, ku tashmë po ndërtojmë një termocentral 120 MË në vendin e një miniere të dikurshme të linjitit.

Nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se inflacioni i luftës po godet dhe se duhet të rajonalizohen tregjet e energjisë.

 

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

“Sa i takon energjisë, na duhet të shkojmë përtej tregjeve tona, në të kundërt ende mbetemi tregje të vogla. Ajo që na duhet mund të jetë më tepër e kushtueshme. Duke vepruar në nivel rajonal, ne mund të kemi një qasje më të lehtë në financime dhe mund të kemi një partneritet shumë më të fortë në sektorin privat”

I të njëjtit mendim u shfaq edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se është e nevojshme që të krijohet një treg i përbashkët energjetik në rajon, pasi disa shtete prodhojnë energji në dimër e të tjera në periudha të ndryshme të vitit.

 Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë

 “Ne të kemi një treg rajonal të qëndrueshëm, që të ndihmojmë njeri-tjetrin sepse disa prodhojnë në dimër e disa në periudha të ndryshme të vitit dhe mund të ndihmojmë njëri-tjetrin. Kjo është një çështje që nuk ka rëndësi vetëm për këtë dimër. Vihet në pikëpyetje që disa konflikte do të mbyllen”

Ndryshe, qëllimi i Konferencës është përforcimi i bashkëpunimit në zhvillimin e kapaciteteve për burimet e ripërtërishme të energjisë në vendet e Ballkanit Perëndimor që duhet të sigurojnë pavarësinë energjetike. Konferenca rajonale për mundësitë e investimeve në burimet e ripërtërishme të energjisë në Ballkanin Perëndimor organizohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd dhe Sarajevë dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në bashkëpunim me Aleancën Ekonomike Nordike.

Enis Murtezi /SHENJA/

You may also like