(VIDEO) Kovaçevski: Po humbim shumë për shkak të bllokimit të eurointegrimeve

by admin
Spread the love




Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po humbin shumë për shkak të bllokimit të eurointegrimeve, por edhe më shumë po humb Bashkimi Evropian. Kështu u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë fjalimit të tij në debatin në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë. Sipas tij, pritja e gjatë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria para portave të BE-së jo vetëm që ka vënë në pikëpyetje kredibilitetin e Unionit, por edhe i hap rrugë fuqive tjera që të shtrijnë ndikimin në Ballkan.

 DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Për shkak të mos miratimit të kornizës së bisedimeve, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po humbin kohë të çmueshme. Por pyetja më e madhe është se çfarë po humb Bashkimi Evropian në këtë rast. Kredibiliteti i BE-së është vënë në pikëpyetje. Kjo situatë inkurajon dhe rrit interesin e palëve të treta për rajonin. Nëse BE-ja tregon mosprezencë ose dobësi në Ballkanin Perëndimor, atëherë palët e treta do të kenë më shumë mundësi që ta plotësojnë këtë boshllëk e cila është shumë me rëndësi në planin gjeostrategjik”.

Kovaçevski thotë se pavarësisht obstruksioneve, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të jetë miqësore me vendet fqinje dhe do të përpiqet t’i tejkalojë problemet përmes rrugës së dialogut. Sipas kryeministrit, vendi ka bërë gjithçka për të zhbllokuar status kuo-në me Bullgarinë.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Kemi dëshmuar disa herë se Maqedonia e Veriut është vend i miqësive dhe bashkëjetesës. Këto janë shenjat tona autentike. Kështu na njeh bota sot. Ndërtojmë miqësi. Jemi të përkushtuar në gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të gjithë. Në këtë frymë Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë të gjitha hapat për zhbllokimin e procesit të zgjerimit të BE-së”.

Në margjinat e konferencës së Mynihut, Kovaçevski ka zhvilluar takime të ndryshme me përfaqësues të shteteve dhe institucioneve të ndryshme ndërkombëtare. Mes tyre ka takuar edhe kryeministrin e ri bullgar Kiril Petkov, ku është biseduar edhe për dinamikën e re të dialogut mes dy vendeve.

/SHENJA/

 

 


You may also like