(VIDEO) Kovaçevski nuk e hedh poshtë mundësinë për bashkëpunim me BDI-në dhe ASH-në e Selës

by admin
Spread the love

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski thotë se LSDM po grumbullon listat për deputetë. Sipas tij, ende nuk e kanë vendosur nëse do të shkojnë me lista të përbashkëta me ndonjë parti tjetër. Duke u përgjigjur në mënyrë të tërthortë, ai nuk e hodhi poshtë mundësinë që partitë me të cilat do të garojnë në zgjedhje, mund të jenë BDI dhe ASH-ja e Ziadin Selës.

Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së

“Janë parti me të cilat nuk kemi negociata, por se mund të ketë bisedime në bazë të analizave që për momentin po bëhen në bazë të hulumtimeve empirike dhe në bazë të disponimit të anëtarësisë që të jenë në koalicion me parti të caktuara. Bëhet fjalë për parti që janë në koalicion qeverisës me LSDM, por që nuk kanë qenë në listat e përbashkëta në zgjedhjet e fundit në vitin 2020”.

Përndryshe, burime për A1ON kanë thënë se kryetarët e LSDM-së dhe BDI-së, Dimitar Kovaçevski dhe Ali Ahmeti, do të kenë takim në fund të kësaj jave, ku do të bisedojnë nëse do të bëjnë koalicion parazgjedhor, ose të garojnë vetë në zgjedhjet që pasojnë. Të njejtat burime po ashtu kanë bërë me dije se mbetet e hapur mundësia që në këtë koalicion, të bëjë pjesë edhe krahu i ASH-së së Ziadin Selës. Këta të fundit u përçanë nga partia pikërisht për faktin se dëshironin të dilnin vetë në zgjedhje, përkundër Arben Taravarit që vendosi ti’ bashkohet opozitës shqiptare.

Ndërkaq, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në profilin e tij në facebook, ka paralajmëruar se do të japë siç ka thënë “Lajmin e madh”, të enjten në orën 11:00, po në Facebook, që më shumë gjasë ka të bëjë me zgjedhjet. Lajmet që qarkullonin ditët e fundit se Ahmeti mund të garoj për president të shtetit, një ditë më parë e hodhi poshtë si mundësi bashkëpartiaku i tij, kryeministri teknik Talat Xhaferi.

Еmine Ismaili /SHENJA/

You may also like