(VIDEO) Kovaçevski: Më 15 shtator nis skriningu dypalësh me BE-në

by admin
Spread the love

Më 15 shtator fillon procesi i skriningut mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, si fazë e parë para hapjes së kapitujve në bisedimet zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në një intervistë për televizionin serb RTS tha se ditëve në vazhdim do të bëhet e qartë se çfarë do të duhet të bëhet në këtë proces. Duke folur për inegrimet, Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut ka marrë obligim ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në Preambulë. Ai e sheh këtë si pozitive pasi siç tha, ka vende në BE që kanë përfshirë deri 25 popuj në Kushtetutën e tyre.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Atë që e kemi ne si obligim në këtë rrugë, obligim që e kanë edhe shumë vende tjera, është harmonizimi i Kushtetutës, me atë që Maqedonia e Veriut ka edhe një aktivitet shtesë, përfshirjen e popujve tjerë që jetojnë në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe interes kanë treguar populli kroat, malazez dhe bullgar, por edhe të tjerë si hebrenjtë. Besoj se kjo është e mire sepse ka shtete në BE që kanë edhe nga 25 popuj në Kushtetutën e tyre”.

Kovaçevski tha gjithashtu se çështjet e hapura me Bullgarinë janë mbyllur, përveç historisë e cila vazhdon të jetë temë pune e komisionit historik dypalësh. Por me propozimin francez, gjuha dhe identiteti maqedonas janë garantuar sipas tij.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Tashmë të gjitha çështjet e hapura janë mbyllur, kemi rrugë të qartë se në çfarë forme do të zhvillohet anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE. Ato çështje që ishin si dilema janë tejkaluar, në kornizën negociuese qëndron pastër gjuha maqedonase, identiteti i popullit maqedonas është garantuar në kornizën negociuese dhe në gjithë procesin negociues, ndërsa çështjet historike janë pjesë e punës së komisionit historik dhe nuk janë pjesë e procesit negociues”.

Kovaçevski thotë se Maqedonia e Veriut ka pasur rrugën më të vështirë të anëtarësimit në BE, duke tejkaluar çështjen e emrit me Greqinë përmes marrëveshjes së Prespës dhe së fundmi kontestin me Bullgarinë.  /SHENJA/

 

You may also like