(VIDEO) Erdhi ADA, asistentja online e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

“Përshëndetje unë jam ADA, asistentja e parë digjitale e qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mund t’ju ndihmoj me informacionet që kanë të bëjnë me thirrjet aktive me mbështetjen financiare që bie në ligjin për mbështetje financiare të zonave ZHTI, edhe atë në gjuhën maqedone, shqipe dhe angleze”

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka promovuar sot asistenten e parë dixhitale të quajtur ADA. Me ADA, asistente kryesore dixhitale e bazuar në inteligjencën artificiale në sektorin publik, Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e tendencave digjitale botërore. ADA do t’u ofrojë të gjithë qytetarëve dhe kompanive të interesuara të gjitha informacionet për mbështetjen e investimeve në kuadër të Planit të Rritjes Ekonomike, të gjitha thirrjet nga programi FITR, si dhe kushtet për të investuar në vendin tonë nëpërmjet TIRZ.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se vendi ynë ndjek proceset botërore dhe tashmë është pjesë e valës së trendeve të reja moderne që prekin çdo aspekt të jetës sonë.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Vendi ynë po bëhet pjesë e tendencave të reja moderne dixhitale. Po vjen asistenti i parë digjital ADA i bazuar në intelegjencën artificiale. Përmes ADA-së, kompanitë dhe qytetarët do të marrin informacion për investimet dhe mbështetjen financiare nga shteti. ADA do të ndikojë në rritjen e transparencës së të gjitha institucioneve, eliminimin e korrupsionit dhe uljen në minimum të faktorit njerëzor. Do të përshpejtohet edhe procesi i ofrimit të shërbimeve që do të jenë në dispozicion 24 orë në ditë”.

Me këtë asistent, bazuar në IA, do të mundësohet shërbimi i një numri të pakufizuar të interesuarve dhe tani për tani do të mbulohen 80 % e shërbimeve që lidhen me investimin në vendin tonë, por sipas njoftimeve, ky vëllim do të rritet në të ardhmen .

Zëvendëskryeministri Fatmi Bytyçi tha se ADA nuk është projekti më i madh për sa i përket mjeteve të investuara, por do të jetë një nga më të rëndësishmit që do t’i ndihmojë qytetarët dhe bizneset.

FATMIR BYTYÇI, ZV.KRYEMINISTËR

“ADA është në thelb materializimi i gjithçkaje për të cilën kemi folur për ndryshimin që na nevojitet. Ne vazhdimisht flasim për digjitalizim, transparencë, efektivitet dhe efiçencë në sektorin publik dhe ja ku është produkti që duhet të na çojë atje. Do të jetë në gjendje t’i shërbejë një numri të pakufizuar përdoruesish në të njëjtën kohë, pa pritje dhe kalime të panevojshme nga institucioni në institucion, do të japë informacion dhe ajo që është e rëndësishme, do të heqë hapësirën për manipulime”.

“ADA u krijua nga një kompani vendase startup dhe bashkëpunimi me ta është një konfirmim domethënës që fëmijët tanë mund dhe dinë, dhe për ta është një mesazh se mund të kenë sukses edhe këtu në vendin tonë ”, tha Bytyçi.

Medina Ajeti /SHENJA/

 

 

You may also like