(VIDEO) Ende nuk ka arritur ekspertiza gjermane për spitalin e Tetovës

by admin
Spread the love

Kanë kaluar tre muaj nga tragjedia e Spitalit Modular në Tetovë, ndërsa ekspertiza e hetuesve gjermanë nga Policia Kriminalistike Federale ende nuk ka arritur. Nga Prokuroria Publike janë shprehur se po dëgjohen dëshmitarë që kanë informacione për tragjedinë.

“Tani pritet ekspertiza e ekspertëve gjermanë që u kërkua përmes  ndihmës ndërkombëtare juridike dhe ende nuk ka ardhur. Në ndërkohë dëgjohen dëshmitarë dhe personat që kanë informacione për ngjarjen. Pas vërtetimit të plotë të fakteve dhe dëshmive, do të merret vendimi”, thonë nga Prokuroria Publike, për Fokus.

Ata gjithashtu theksojnë se po analizohen edhe ekspertizat tjera që u përpunuan në Maqedoninë e Veriut, por për momentin nuk mund të ndajnë informacione.

“Lënda është në procedurë parahetimore ku intensivisht veprohet për vërtetimin e fakteve. Kanë arritur raporte në prokurori dhe po analizohen me dëshmitë e tjera, por Prokuroria Publike num mundë të shpërndajë më shumë detaje” shtojnë nga prokuroria.

Deri me tani, për tragjedinë e Tetovës ka pasur tre ekspertiza që kanë kryer hetime, e para është e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e dyta e Fakultetit Teknologjik dhe e treta nga elektroinxhinieri rreth instalimeve të spitalit.

Nata e 8 shtatorit ishte e tmerrshme për pacientët e spitalit modular të Tetovës, ku po trajtoheshin 26 persona  përshkak të infektimit me kovid-19, ndërsa zjarri që kaploi spitalin në vetëm tre minuta,  ua mori  jetën 14 personave, ndërsa 12 të tjerë arritën të shpëtojnë. Sipas hetimeve të prokurorisë vendase, zjarrin në spitalin modular e ka shkaktuar qarku i shkurtë elektrik në një kabllo zgjatëse.

Disa ditë pas tragjedisë, ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, zëvendësi i tij Ilir Hasani, drejtorët e spitalit të Tetovës Florim Besimi dhe Artan Etemi, dhanë dorëheqje për shkaqe morale. Edhe pse fillimisht kryeministri Zoran Zaev pati thënë se i pranon dorëheqjet e tyre, më pas ndërroi mendje.

Linda Ebibi /SHENJA/

 

You may also like