(VIDEO) Bytyqi: Së bashku ta zbusim krizën energjetike

by admin
Spread the love




Të sillemi të gjithë me arsye dhe secili që ka mundësi të ndikojë tek ata që mund ta ndihmojnë gjendjen me krizën energjetike, deklaroi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyçi. Ai tha se i kupton shqetësimet e ekonomisë për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike dhe theksoi se po mundohen të gjejnë burime shtesë të energjisë elektrike, duke qenë se një pjesë e ekonomisë është në tregun e liberalizuar.

FATMIR BYTYÇI, ZËVENDËSKRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE

“Unë i kuptoj plotësisht shqetësimet e bizneseve, të ekonomisë. Në fund të fundit, nuk duhet të harrojmë se tashmë me masat e marra, një pjesë e ekonomisë është ndihmuar realisht, një pjesë e ekonomisë që nuk bën pjesë në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike shfrytëzon energji elektrike të subvencionuar nga qeveria dhe kjo nuk është një pjesë e vogël. Gjithashtu nuk duhet harruar se qeveria duhet të mbrojë segmentin më të madh, përkatësisht amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël”.

Bytyçi tha se qeveria, ka subvencionuar energjinë elektrike për një periudhë më të gjatë kohore me 80% të çmimit real që duhet të paguajnë qytetarët. Fatkeqësisht, theksoi ai, mbetet një segment i ekonomisë që aktualisht është në tregun e liberalizuar. Aty po mundohen të gjejnë burime shtesë të energjisë elektrike që përmes mënyrave të ndryshme të mbështetjes nga Qeveria do të arrijnë deri te shfrytëzuesit e fundit, përkatësisht ekonomia edhe atë me çmime shumë më të ulëta se çmimet në bursë.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyçi sqaroi se çështja  varet edhe nga përfundimi i negociatave që po zhvillohen me Republikën e Bullgarisë, sepse janë një nga vendet që kanë tepricë në prodhimin e energjisë elektrike.

Medina Ajeti /SHENJA/


You may also like