(VIDEO) AlternAtivA: Propozojmë amendament kushtetues që lëndët e korrupsionit të mos vjetrohen kurrë

by admin
Spread the love

Partia AlternAtivA, propozon amendament kushtetues që lëndët e korrupsionit të mos vjetrohen kurrë. Sipas kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi,  këtu nuk ka dallime etnike, religjioze ose politike, korrupsioni është kancer i shoqërisë dhe  nuk lejon përparimin e vendit. Gashi tha  se shumë politikanë kur marrin një pozitë, kanë një status modest financiar, ndërsa kur e përfundojnë detyrën, dalin si pasanikë që nuk ia dinë fundin pasurisë së tyre. Ai më tej theksonë se  lufta kundër korrupsionit, ka qenë edhe ndër pikat e marrëveshjes së tyre  politike për inkuadrim të Alternativës në qeveri.

AFRIM GASHI-KRYETAR I ALTERNATIVËS

“Nuk mund të tolerojmë edhe më që politika të jetë biznesi më profitabil në këtë shtet. Ose do t’u shërbejmë qytetarëve, në plot kuptimin e fjalës, ose do të shndërrohemi në shtet të braktisur. Kështu siç jemi aktualisht, të gjithë të rinjtë do të ikin nga ky vend dhe askush nuk do të kthehet më këtu”.

I pari i Alternativës,  pret që ky propozim  t’i bashkojë të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut, pasi sipas tij, bëhet fjalë për një amendament kushtetues që do ta afrojë Maqedoninë e Veriut edhe më shumë me Bashkimin Europian.

AFRIM GASHI-KRYETAR I ALTERNATIVËS

“Ligjet mund të kenë efekt prapaveprues edhe në rastet që kanë të bëjnë me vjetrimin e përgjegjësisë penale për abuzime nga persona të emëruar ose të zgjedhur gjatë zbatimit të autorizimeve publike, me çka u kanë shkaktuar dëm fondeve publike, mjeteve buxhetore në nivel qendror dhe lokal dhe me ato abuzime kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme.

Gashi më tej sqaronë se kjo nënkupton edhe zgjerimin e përfshirjes së konfiskimit të pasurisë së arritur në mënyrë të paligjshme edhe nëse është regjistruar në emër të personave të tretë. Ai gjithashtu pret që ky propozim të përkrahët edhe nga partitë tjera politike.

Samir Mustafa /SHENJA/

You may also like