Vetëm Rama e ka në dorë ta lajë njollën e mbrojtjes së genocidit – Lajme

by admin
Spread the love

Edi Ramës i duhet njohur një meritë: Ai e ka intuitën për të kuptuar se kur një alibi apo një gënjeshtër është e paaftë të shndërrohet në armë propogandistike. Kështu ka ndodhur edhe me dredhitë që makineria e tij mediatike prodhoi për të fashitur njollën e turpit të mos votimit të rezolutës kundër genocidit serb në Sebrenicë. 

Lexo me tej:

Socialistët votojnë kundër njohjes së genocidit serb në Sebrenicë

Nga reagimet në Tiranë dhe Prishtinë, nga komentet masive të rjeteve sociale dhe nga ato të deputetëve boshnjakë, kryeministri e nuhati se pallavarat me “non grata”, me “katran”, apo “thyerje të embargos së naftës”, nuk po zinin vend. Prandaj ai kaloi nga “plani A”, i anatemimit të Berishës si nismëtari i rezolutës, në “skenarin B”, pra atë se shteti shqiptar nuk ka asnjë dilemë për ti vënë emrin që duhet krimit etnik ndaj 8000 musimanëve boshnjakë në 1995-ën. Dhe për të vërtetuar këtë makineria propogansistike e Ramës po mbështetet në tre shembuj.

I pari se ambasadori shqiptar në Këshillin e Sigurimit të OKB, Ferit Hoxha e ka dënuar genocidin e frymëzuar nga kasapët e tipit Mlladiç- Karaxhiç. I dyti se kur ka qenë në krye të OSBE-së, Rama e ka bërë vetë të njëjtën gjë. Dhe së treti se në 11 korrik të këtij viti socialistët do të mbledhin kuvendin për të përkujtuar viktimat e masakrës serbe të 27 viteve më parë.

Të treja këto shembuj mund të jenë diçka, por kushdo që e kupton politikën dhe diplomacinë e di mjaft mirë, se qoftë dhe qindra të tilla sëbashku, nuk kanë as peshën dhe as vlerën e një rezolute parlamentare që vulos qëndrimin e një shtetit ndaj një ngjarjeje të caktuar.   

Pra për të marë një shembull, ka pasur shumë politikanë apo diplomatë francezë që kanë dënuar genocidin turk ndaj armenëve në fund të luftës së parë botërore, por vetëm kur parlamenti francez e njohu përfundimisht atë, me anë të një rezolute, ngjarja mori përmasa botërore.

Pikërisht kësaj diference në dukje të pavërejtshme, por në fakt tejet thelbësore, i referohej edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kur theksonte një vit më parë se ne do ta pengojmë në parlamentet mike votimin e një rezolute të tillë. 

Vuçiç: “Ne do t’i pengojmë rezolutat kundër genocidit në parlamentet mike”

Nuk ka dyshim se ky qëndrim i bashkëideuesit të “Open Balkan”, i nxjerrë nga arkiva prej Lajme, hedh hije të forta dyshimi për motivet e vërteta që i shtynë deputetët socialistë të mos votonin në sinkron me homologët e tyre në vendet e tjera të rajonit. Më shumë se nga parimi për ta parë në mënyrë të ndershme dhe parimore historinë ai dukej i yshtur nga ankthi se mos prish idilin e marëdhënies Rama-Vuçiç. Ai qe në të njëjtën linjë me predikimet e herpashershme të kyreministrit tonë se e ardhmja e Ballkanit nuk ndërtohet duke i mbajtur sytë nga e shkuara.

I parë nën optikën e këtij qëndrimi të presidentit serb, votimi i deputetëve shqiptarë është një njollë turpi dhe një akt vasaliteti. Pas daljes së kësaj deklarate alibia se zyrtarët e shtetit shqiptar kanë mbajtur aty këtu ndonjë qëndrim ndaj genocidit në Sebrenicë konsiderohet nul. Tani pyetja është e thjeshtë: A është e aftë mazhoranca socialiste të sillet ndryshe nga udhëzimi që Vuçiç lëshoi për “parlamentet mike”?

Shtrimi i kësaj dileme e bën të pavlerë edhe justifikimin e dytë që Rama prodhoi pasi mazhoranca e tij ngriti kartonat e kuq në kuvend. Atij nuk i vyen më as gënjeshtra e parë, se nuk voton nisma të mara nga Berisha dhe as kjo tjetra se ka hedhur aty këtu ndonjë llaf kundër masakrave etnike të fund shekullit të shkuar. 

Jehona në Ballkan/ “Shqipëria refuzoi të dënojë masakrën e Srebrenicës”

Si një politikan që di ta nuhasë momentin kur armët e gabuara të propagandës dalin bllof, Edi Ramës i ka mbetur vetëm një rrugë. Për ti hequr këtë njollë turpi krejt shqiptarëve, ai duhet të bëhet nismëtari i një rezolute të re. Le të shkruajë një tekst krejtësisht të ndryshëm nga i i non- gratas, që dikur “thyente embargon duke trafikuar naftë”. Le mos i pranojë madje as votat “katran” të berishistëve në kuvend.

Le të zgjedhë pra ç’të dojë, por ama të ngrejë kartonat jeshilë të deputetëve kundër genocidit të Serbëve ndaj 8000 burrave dhe të rinjve muslimanë. Dhe jo ta bëjë këtë me batuta, as siç ka premtuar deri tani, me ndonjë përkujtimore në 11 korrik. Por duke prodhuar një dokument të vërtetë në parlament që i bën nder shtetit shqiptar dhe çdokujt që ka respekt për vlerat më minimale njerëzore.

Vetëm kështu, vetëm duke votuar një rezolutë të re, ai mund ta fashisë paragjykimin se socialistët i’u bindën kokëulur porosisë së Vuçiçit.  

©Lajme

You may also like