Veliaj takon kryebashkiakun Vitali Klitçko: Miku im e udhëhoqi qytetin në kohët më të vështira

by admin
Spread the love

Gjatë vizitës në Ukrainë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është takuar dhe me kryebashkiakun e Kievit, Vitali Klitçko, ish-kampion i botës në boks. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj thekson se Vitali Klitçko e udhëhoqi qytetin në kohët më të vështira.

“Më vjen mirë që Kievi po i rikthehet normalitetit pas sulmeve të ashpra të Rusisë, teksa lufta vazhdon ende në qytetin motër të Kharkivit dhe në zona të tjera të Ukrainës.

Miku im Vitali Klitçko e udhëhoqi qytetin në kohët më të vështira! Si dikur kur ishte boksier, një kampion i vërtetë në çdo ring”, nënvizon Veliaj.

Më herët, Veliaj zhvilloi një takim dhe me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenski. Kryebashkiaku Veliaj i shprehu angazhimin Presidentit Zelenski se Bashkia e Tiranës do të ndihmojë Ukrainën me rindërtimin e shkollave dhe do të japë ekspertizën e saj për rimëkëmbien e Ukrainës si pasojë e luftës.

Nga ana e tij, Zelenski i shprehu mirënjohjen Veliajt për mbështetjen që Shqipëria dhe Kryeministri Rama kanë dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe.

You may also like