Ushtria izraelite i kërkon OKB-së në Gazë të marrë karburant nga Hamasi

by admin
Spread the love

Ushtria e Izraelit u sugjeroi Kombeve të Bashkuara t’i kërkojnë Hamasit furnizim me karburant, pasi agjencia e OKB-së që u ofron ndihma civilëve palestinezë në Rripin e Gazës, paralajmëroi se do të detyrohet ta ndërpresë punën të mërkurën mbrëma, nëse nuk furnizohet me karburant.

Agjencia, e njohur si UNRWA, e bëri këtë paralajmërim në rrjetin social X. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) iu përgjigjën duke i thënë se militantët e Hamasit kanë më shumë se 500.000 litra karburant në rezervarë brenda Gazës së rrethuar.

“Kërkojani Hamasit”, shkroi IDF-ja.

Rafah është pikëkalimi kryesor për hyrje dhe dalje nga Gaza që nuk është në kufi me Izraelin. Ai është bërë fokusi kryesor për të dërguar ndihma në Gazë qëkur Izraeli e rrethoi plotësisht këtë enklavë si përgjigje hakmarrëse ndaj sulmeve nga militantët e Hamasit në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor. Shtetet e Bashkuara po iu prijnë bisedimeve me Izraelin, Egjiptin dhe OKB-në në përpjekje për ta krijuar një mekanizëm të qëndrueshëm të furnizimit me ndihma në Gazë.

Derisa është lejuar furnizimi i kufizuar me ushqim, ujë dhe ilaçe prej të shtunës së kaluar, asnjë pikë karburant nuk është futur në Gazë deri tani. Izraeli shqetësohet se karburanti mund të bjerë në duart e militantëve të Hamasit dhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby, i përshkroi shqetësimet e Izraelit si të arsyeshme.

“Por ne ende besoj, në përgjithësi, se karburanti duhet t’u dërgohet njerëzve në Gazë”, tha Kirby.

Zyrtari i lartë i OKB-së, Lynn Hastings, tha të martën në Këshillin e Sigurimit se Kombet e Bashkuara i kanë 400.000 litra karburant në cisterna në Egjipt, të cilat janë të gatshme për të dërguar karburant për dy apo dy ditë e gjysmë. Megjithatë, zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, e akuzoi të martën Hamasin se po vjedh karburant nga UNRWA.

“Karburanti nuk do të futet në Gazë. Hamasi e merr atë për infrastrukturë ushtarake”, tha ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se, përveç spitaleve që u detyruan të mbylleshin për shkak të dëmtimit dhe sulmeve, “gjashtë spitale në Rripin e Gazës janë mbyllur tashmë për shkak të mungesës së karburantit”. /REL


Top Channel

You may also like