Theo Hernandez: Milani klubi i duhur për mua, tani të fitojmë titullin

by admin
Spread the love

Theo Hernandez do të mungojë në ndeshjen kundër Empolit sepse është i skualifikuar. Milani do të ndjejë shumë mungesën e francezit, pasi anësori ishte një nga lojtarët më në formë të skuadrës. Në një intervistë për “L’Equipe”, Theo ka deklaruar hapur dashurinë e tij për kuqezinjtë:

“Gjeta klubin e duhur në momentin e duhur. Kemi një të ardhme të ndritur si skuadër, mund të rilindim Milanin e madh. Ja pse e zgjata kontratën deri në vitin 2026. Këtu ka gjithçka për të jetuar mirë. Tani duhet të fitojmë titullin. Për këtë kemi nevojë, që të rikthejmë Milanin në vendin e vet, në majë”, ka thënë francezi.

“Falë Maldinit firmosa për Milanin. Isha shumë pranë firmës me Leverkusenin, por ai përmbysi gjithçka. Erdhi më takoi kur isha me pushime në Ibiza. Folëm për futboll dhe e ndjeva menjëherë se Milani ishte vendi i duhur. Më tha shumë fjalë të mira për lojën time. Askush tjetër nuk mund të më këshillonte më mirë për rolin tim dhe për Milanin”, ka vazhduar Theo Hernandez.

Paolo Maldini ishte vendimtar për ardhjen në Milano, ndërsa Stefano Pioli ka luajtur një rol thelbësor në rritjen e tij: “Sapo erdhi këmbënguli që të luaj siç di. Më çliroi. Kuptoi tipin tim, forcën time dhe nuk më limitoi. Kam ADN-në e një sulmuesi në trupin e një mbrojtësi. Te Milani jam përmirësuar para portës dhe Pioli ka një meritë të veçantë. Edhe në kombëtare Deschamps më thotë të shtyj përpara, por edhe që të mos harroj të mbroj”.

Në luftën për titull do të jenë vendimtar Giroud (“Po bën gjëra të mëdha këtë sezon. Jemi në garë falë tij dhe i detyrohemi shumë”) dhe Ibra, që në fillim të sezonit kishte objektiva të mëdha: “Kur flet Zlatan, ne dëgjojmë”. / Oversport.tv

You may also like