Tetë dronë shënjestrojnë Moskën/ Putin paralajmëron masa: Sulm terrorist i ndërmarrë nga Kievi për të frikësuar Rusinë

by admin
Spread the love

Tetë dronë kanë shënjestruar kryeqytetin rus, duke plagosur dy persona mëngjesin e sotëm. Presidenti rus, Vladimir Putin pretendoi se sulmi kishte për qëllim objektivat civile, dhe si rezultat do të merreshin masa për forcimin e mbrojtjes ajrore të Moskës.

Putin e quajti lëvizjen një “shenjë të qartë të aktivitetit terrorist”, ndërsa përsëriti qëndrimin e Rusisë se “regjimi i Kievit” qëndronte pas sulmit. Ukraina ka mohuar të jetë e përfshirë drejtpërdrejt.

Shefi i Kremlinit e konsideroi sulmin një përgjigje nga Ukraina ndaj forcave ruse, për goditjen e selisë së saj të inteligjencës ushtarake në ditët e fundit. Putini u shpreh se autorët u përpoqën të “provokojnë” dhe “të trembin” Rusinë, por ai mbetet “i pa shqetësuar për këtë”.

Më herët, Moska kërcënoi se mund të marrë “masat më të ashpra të mundshme” në përgjigje të sulmit me dron. Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ka të drejtën për të marrë “masat më të rënda”.

“Sigurimet e zyrtarëve të NATO-s se regjimi i Kievit nuk do të nisë sulme thellë në territorin rus rezultojnë të jenë krejtësisht hipokrite. Rusia ka të drejtën për të marrë masat më të ashpra të mundshme në përgjigje të sulmeve terroriste nga regjimi i Kievit”- tha ministri i mbrojtjes, Sergei Shoigu.

“Më lejoni ta theksoj, regjimi i Kievit kreu një akt terrorist në rajonin e Moskës kundër objektivave civile. Ai përfshinte tetë mjete ajrore pa pilot, të gjitha u shkatërruan. Në Moskë, tre nga dronët u shkatërruan nga mjetet e mbrojtjes elektromagnetike. Ata humbën kontrollin dhe devijuan nga objektivat e përcaktuara. Pesë të tjerë u rrëzuan në rajonin e Moskës nga një Pantsir, sistemi i mbrojtjes ajrore”- tha Shoigu.

Shoigu pretendoi se forcat e tij kishin shkatërruar një sistem raketash anti-ajrore Patriot të furnizuar në Kiev nga SHBA, megjithëse nuk dha asnjë provë për këtë pretendim.

Por kush mund të jetë prapa sulmit në Moskë?

Detajet e sulmit janë ende të paqarta, por ministria ruse e mbrojtjes ka nxituar të fajësojë Ukrainën për atë që e quan një sulm “terrorist”. I konsideruar si një “moment sizmik” për Moskën, duke sjellë luftën në tokën ruse, autori i sulmit mund të jetë Moska ose Kievi.

Sidoqoftë, SHBA është ende duke mbledhur informacione për sulmin, duke dekurajuar çdo lloj iniciative ushtarake brenda territorit Rusisë. Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni mbetet i fokusuar në ndihmën e Ukrainës për të rimarrë territorin e saj, por ajo nuk duhet të nisë sulme përtej kufijve. Në fund, fajtori pas sulmit me dron nuk është përcaktuar ende.


Top Channel

You may also like