Tesla këtë vit do të fokusohet në zhvillimin e robotëve sesa në modele të reja makinash –

by admin
Spread the love

Drejtuesi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, tha të mërkurën gjatë mbledhjes për shqyrtimin e të ardhurave të kompanisë në tremujorin e katërt se roboti humanoid është “produkti më i rëndësishëm” që Tesla po zhvillon këtë vit, duke e vënë atë si prioritet edhe përpara Cybertruck-ut të shumëpërfolur dhe automjeteve të tjera si Semi dhe Roadster.

Musk e shfaqi për herë të parë “Tesla Bot” në gusht, duke përdorur një njeri me kostum roboti. Ai paralajmëroi gjatë “Ditës së Inteligjencës Artificiale” të kompanisë se “ndoshta roboti nuk do të punonte”, por shtoi se shpresonte që deri vitin e ardhshëm të mund të ndërtonin një prototip.

“Mendoj se, me kalimin e kohës, ky biznes ka potencial të bëhet më i rëndësishëm se ai i automjeteve” – tha Musk duke iu referuar robotit, i cili quhet Optimus.

Shefi i Tesla-s shtoi se kompania nuk ka në plan që të nxjerrë në shitje Cybertruck-un këtë vit, si dhe konfirmoi që aktualisht nuk po punohet për një automjet që do të kushtojë 25,000 dollarë. Mungesa e vazhdueshme e gjysmëpërçuesve po pengon nxjerrjen e modeleve të reja, por nuk ka sjellë uljen e dërgesave të automjeteve, tha ai.

Megjithëse roboti i Tesla-s mund të prodhohet pas shumë vitesh, ose ndoshta mund të mos realizohet kurrë, Musk tha të mërkurën se ky robot ka potencialin për të sjellë një revolucion në ekonomi, nëse arrin të kryejë detyrat që tani mund të kryhen vetëm nga njerëzit.

“Nëse mendoni për ekonominë, themeli i ekonomisë është puna, – tha ai. – Pajisjet kapitale në vetvete kryejnë disa punë. Por çfarë ndodh nëse nuk ka më mungesë të fuqisë punëtore? Nuk jam i sigurt se cili do të ishte kuptimi i ekonomisë nëse do të arrihej kjo. Për këtë arsye, Optimus është kaq i rëndësishëm.”

Përparimet në fushën e robotikës u kanë dhënë mundësi kompanive që të zëvendësojnë punonjës në fusha të caktuara me makineri, por kufizimet e teknologjisë aktuale e bëjnë të detyrueshme që shumë punë të tjera të vazhdojnë të kryhen nga njerëzit.

“Optimus supozohet të jetë një robot miqësor, normalisht, i cili do të mund të futet në botën e njerëzve dhe të eleminojë punët e rrezikshme, të përsëritura apo të mërzitshme”, tha Musk në muajin gusht.

Ky robot është një shembull i mjeshtërisë së Musk për reklamimin e kompanisë së tij, pasi ai shpesh njofton që Tesla është duke punuar për disa produkte emocionuese, të cilat në fakt janë të planifikuara për pas shumë vitesh në të ardhmen. Në këtë mënyrë, ai kërkon të mbajë me optimizëm punonjësit, klientët dhe investitorët. Shpeshherë, inovacionet që bëhen publike nuk realizohen brenda afatit të parashikuar.

Për shembull, në eventin e “Ditës së Autonomisë” në prill të vitit 2019, Musk tha se kompania e tij do të bënte të mundur që deri në vitin 2020, nëpër rrugët e të gjithë botës të qarkullonin 1 milion “robotaksi”. Këto robotaksi nuk ekzistojnë ende. / CNBC

You may also like