Tentoi rrëmbimin e guvernatores, jepet dënimi më i gjatë për komplotin në SHBA!

by admin
Spread the love

Më shumë se 19 vjet heqje lirie ishte dënimi i dhënë për shoferin e kamionit nga Delaware i SHBA, i konsideruar si orkestruesi i komplotit për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit, Gretchen Whitmer.

Ky është dënimi më i gjatë deri tani për pjesëmarrësit në këtë komplot.

Prokurorët kishin kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për 47 vjeçarin Barry Croft Jr, i pandehuri i katërt dhe i fundit në këtë çështje. Gjykatësi Robert J. Jonker e përshkroi atë si personi që kishte pasur “idenë” për komplotin dhe tha se ai kishte aftësi komunikuese shumë bindëse për ata që ishin të hapur ndaj pikëpamjeve të tij.

“Sado e mbrapshtë apo e paarsyeshme që mund të duket për shumë prej nesh, ideja kishte bërë jehonë tek audienca së cilës i drejtohej“, tha gjykatësi.

“Kjo është një metodë udhëheqjeje po aq e rëndësishme sa të jesh jashtë në terren dhe t’u thuash njerëzve se ku të shkojnë”, shtoi ai.

Avokati mbrojtës Joshua Blanchard tha se do të apelonte dënimin.

Croft dhe Adam Fox u shpallën fajtorë në gusht për akuza për komplot në Grand Rapids. Croft gjithashtu u shpall fajtor për posedimin e një eksplozivi të paregjistruar.Të dy ata u akuzuan se kishin planifikuar rrëmbimin e Whitmer nga shtëpia e saj e pushimeve pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, pasi ishin të zemëruar nga kufizimet e ashpra të COVID-19 që ajo dhe zyrtarë në shtete të tjera kishin vendosur gjatë muajve të parë të pandemisë.


Top Channel

You may also like