Telushi: Partizani e ka luftën me veten, ndaj Kukësit synojmë maksimumin

by admin
Spread the love

Mesfushori i Partizanit Bruno Telushi ka folur për mediat në prag të sfidës kundër Kukësit që do të luhet të hënën dhe do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

Si është atmosfera në skuadër pas humbjes së fundit?

Vijmë pas një ecurie të mirë, pavarësisht ndeshjes së fundit që kemi humbur. Ndeshjet e ardhshme duhet të tregojmë vlerat tona, të tregojmë se dimë të reagojmë pas humbjes dhe të vazhdojmë të qëndrojmë në vendin e parë në klasifikim.

A e keni analizuar humbjen me Erzenin?

Kemi parë disa momente nga ajo ndeshje, e kemi diskutuar dhe me njëri-tjetrin ne çunat, presim për ta bërë analizën e asaj ndeshjeje. Mendoj se bëmë një lojë të mirë pavarësisht rezultatit. Dihet tashmë që në futboll janë të mundshme të gjithë rezultatet. E rëndësishme është që ne bëmë një ndeshje të mirë dhe kjo humbje na bën mirë për të na ulur me këmbë në tokë. Nuk e kemi marrë lehtë, sepse po ta kishim bërë këtë, nuk do të shkonte ashtu mënyra se si luajtëm, mund të them edhe çështje fati për ato raste që humbëm, por ky është futbolli dhe ndodh.

Ju pret një kalendar i vështirë në letër. I druheni?

Kalendarin nuk e shohim aspak. Çdo ndeshje të radhës e konsiderojmë ndeshje të fortë. E vlerësojmë 100% për të arritur fitoren. Nuk na tremb fare kalendari. Që nga ndeshja që do të luajmë tani është e radhës dhe do të japim maksimumin, kaq.

E ka tronditur Partizanin ajo humbje ndaj Erzenit?

Nuk jemi tronditur aspak, kemi bërë tri ndeshje të mira, një e kemi humbur dhe tri të tjerat i kemi fituar. Është rezultat negativ në ndeshjen e fundit, por loja ishte e mirë. Nuk po them se jemi të kënaqur nga kjo, sepse normalisht që humbja na ka mërzitur, humbja ndonjëherë të bën të punosh më fort për më tej.

Si po ecën skuadra nën drejtimin e Kolelës, çfarë ka ndryshuar?

Trajneri Kolela po bën një punë të mirë, unë dua të falënderoj edhe profesor Tanin, që tashmë nuk është më pjesë e klubit. Me ardhjen e Kolelës grupi është goxha i mbledhur dhe pozitiv. Gjithsecili jep maksimumin, jemi shumë të qetë te kjo pjesë. Kolela na jep shumë qetësi dhe të vazhdojmë përpara.

Luani ndaj Kukësit, që vjen pas vështirësish në fushë dhe zëvendësimit të trajnerit. Si e prisni këtë ndeshje?

Unë mendoj se Kukësi është një ekip i mirë, pavarësisht klasifikimit, sepse është nisja e kampionatit. Ne e vlerësojmë dhe do të shkojmë për të dhënë maksimumin.

Cilin nga ekipet e tjera e shihni si favorit për titullin?

Partizani luftën e ka me veten, favorit ka shumë ekipe, nuk dua t’i përmend fare, por nëse ne do të zvogëlojmë problemet tona, mendoj se do të na bëhet më e lehtë rruga për te titulli.

Partizani vuan ndaj skuadrave të lehta në letër, sepse mbyllen mbrapa. Mos e keni më të lehtë me skuadrat e mëdha për të shkuar te goli?

Ndaj nesh skuadrat e vogla kanë motivim shumë më të madh se normalisht. Gjithashtu, me një rival direkt edhe ne shtrëngohemi më shumë, pavarësisht se rastet për ta kthyer ndeshjen i patëm edhe me Erzenin, por nuk shënuam.

Sa i kënaqur është Partizani me nëntë pikë pas tri ndeshjesh dhe a e ndjeni veten favoritë kryesorë?

Ecuria ka qenë shumë e mirë. Të gjithë çunat kanë bërë mirë, pavarësisht ndeshjes së fundit që nuk dua ta bëjmë si dramë, sepse është futboll. Mendoj se kemi bërë një start të mirë dhe jemi në rrugën e duhur për të vazhduar përpara. Partizani është fanellë shumë e rëndë dhe gjithmonë nis kampionatin për të dalë kampion dhe këtë nuk mund ta mohojmë dot.

Vini nga një dëmtim i rëndë, por keni ardhur në formë optimale. Do të donit të kishit më shumë minuta në këmbë në këtë start?

Është e vërtetë, jam rikthyer nga një dëmtim. Për pjesën e minutave normalisht çdo lojtar kërkon të luajë më shumë, por kjo është një pjesë që i takon profesorit. Vendos ai se kush e luan nga minuta e parë dhe nuk mund të them më shumë. Unë me kaq jam i kënaqur, pres akoma më shumë nga vetja ime dhe shpresoj ta ndihmoj sa më shumë ekipin.

Tashmë keni një shtëpi tuajën. Sa e ndihmon kompleksi Partizanin?

Na ndihmon jashtëzakonisht shumë, sepse më në fund jemi në shtëpi. Më parë kemi qenë pak të lëvizur sa këtej, sa andej, për të gjetur terrene. Tani jemi në shtëpinë tonë, na jep tjetër ndjesi dhe ndihemi shumë rehat për këtë. Patjetër do të na ndihmojë edhe në ecurinë në kampionat.

You may also like