TEL AVIV – Izraeli planifikon përmbytjen e tuneleve në Gaza

by admin
Spread the love

GAZA, 5 dhjetor /ATSH-DPA/ – Izraeli ka montuar një sistem pompash të mëdha me të cilat mund të vërshojë ujin e detit në rrjetin e gjerë të tuneleve të lëvizjes islamike Hamas në Rripin e Gazës, sipas raporteve të medias.

Gazeta amerikane “The Wall Street Journal” raportoi dje, duke cituar zyrtarë të qeverisë amerikane, se nuk dihet ende nëse qeveria izraelite ka ndërmend të përdorë këtë taktikë.

“Izraeli nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe as nuk e ka përjashtuar një plan të tillë”, citohet të kenë thënë zyrtarët.

“Forcat izraelite përfunduan instalimin e pompave të mëdha të ujit në det, në veri të kampit të refugjatëve Al-Shati në mes të nëntorit”, thanë ata.

“Të paktën pesë pompa u instaluan, të cilat mund të nxjerrin ujë nga Deti Mesdhe dhe të drejtojnë mijëra metra kub ujë në orë në tunele, duke i përmbytur ato brenda pak javësh”, raportoi gazeta.

“Me një taktikë të tillë, Izraeli do të jetë në gjendje të shkatërrojë tunelet dhe të largojë terroristët nga streha e tyre nëntokësore”, tha gazeta.

“Nga ana tjetër, kjo do të kërcënonte furnizimin me ujë në Rripin e Gazës”, citohet të kenë thënë zyrtarët amerikanë.

“Izraeli së pari informoi SHBA-në për këtë opsion në fillim të nëntorit, duke nxitur një diskutim në të cilin fizibiliteti dhe ndikimi mjedisor u peshuan kundrejt vlerës ushtarake të nxjerrjes së tuneleve”, thuhet në raport.

Ushtria izraelite tha se kishte gjetur më shumë se 800 boshte tunelesh që nga fillimi i luftës në Gaza.

Ata thanë të dielën se rreth 500 prej tyre tashmë ishin shkatërruar.

Disa nga boshtet e tunelit kishin lidhur objektet strategjike të Hamasit nën tokë.

Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur./ /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like