“Teknikisht jemi super”, Sylvinho: Kërkoj agresivitet, besoj te kualifikimi në Euro 2024

by admin
Spread the love

Sylvinho është prezantuar sot si trajneri i ri i kombëtares shqiptare. 48-vjeçari brazilian, i cili luajti e fitoi trofe me skuadra si Barcelona dhe Arsenali, ka firmosur një kontratë 18-mujore me FSHF-në.

Ish-mbrojtësi i majtë zbuloi në konferencën për shtypin pse zgjodhi Shqipërinë dhe tregoi objektivat e tij në krye të kuqezinjve.

“Doja t’u falënderoja që jeni këtu. Jam i kënaqur. Puna e një trajneri është e vështirë, kurrë e thjeshtë. Duhet të bëjmë zgjedhje, herë fiton e herë jo. Falënderoj Rejën për punën e bërë, këta futbollistë, zemrën dhe pasionin.

Kemi dëshirë të sjellim rezultate pozitive për të dërguar kombëtaren në pozicionin e duhur. Këtë pashë kur takova presidentin për herë të parë. Edhe ai pa te ne urinë dhe dëshirën për të bërë mirë, për t’i dhënë vazhdimësi projektit.

Të gjithë flasin për zgjedhjet e trajnerit apo pozicionin e tij. FSHF më bindi të merrja përsipër këtë punë. Jemi të kënaqur, besoj do bëjmë një punë të mirë”.

“Taktika? Flitet shumë për skemën, për ‘3-5-2’ që ka përdoruar Reja, ka përdorur edhe ‘3-4-1-2’. Në futboll duhet të përfshihen të gjithë. Futbolli duhet të qëndrojë në zemrat dhe shpirtin e njerëzve, prandaj jemi këtu. Do të shohim më pas për skemat dhe modulet.

Futbolli ndryshon, gjithçka ndryshon në nivele të larta. Jemi këtu për të dhënë maksimumin, do të zgjedhim lojtarët që do japin maksimumin për këtë fanellë. Botërori la mesazhe të shumta: është taktikë, skema dhe module, por edhe sakrificë, djersë dhe mund.

Grupi është shumë i ekuilibruar, nuk do të jetë e thjeshtë për asnjë, por ne duam të kualifikohemi. Do punojmë fort dhe do luftojmë për të realizuar kualifikimin në Europian.

Kam parë 2-3 ndeshje të Shqipërisë. Kam punuar me Rey Manajn kur ishte pjesë e Interit. Po, e njihja kombëtaren, ka futbollistë të rëndësishëm dhe teknikisht të fortë.

Pas kësaj kontrate dhe këtij momenti, ne do të fillojmë punën e ndarë në dy pjesë: e para ka të bëjë me monitorimin e futbollistëve me stafin tim, më pas do ikim t’i shohim live në fushë.

Gjenerata është rritur, kemi futbollistë të rinj teknikisht shumë të fortë. Pika të forta për ne. U uroj të kthehen sa më shpejt Armando Broja dhe Keidi Bare.

Kam punuar 4 vjet si zv trajneri i Brazilit te Tite. Ne si staf përshtatemi, punojmë çdo ditë. Erdha këtu që t’i jap vazhdimësi punës së trajnerit Reja. Normalisht do përfshijmë edhe mentalitetin tonë për futbollin.

Ndeshja e parë është shumë e vështirë. Grupi është i ekuilibruar, por jemi të bindur që do garojmë për kualifikimin. E dimë çfarë duhet të bëjmë, jemi koshient.

Bashkëpunimi Brazil-Argjentinë? Luajta me Pablon te Manchester City, kemi një raport të rëndësishëm së bashku. Jashtë fushe kemi respekt të jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin, kam shumë miq argjentinas.

Duhet të imponohemi në fushë, duhet të jemi agresivë. Nevojitet agresivitet sportiv, nuk do të thotë dhunë, por presingu që jep dhe fakti nëse vendos në vështirësi kundërshtarin.

Ndihmësit e mi janë persona të sinqertë dhe të çiltër. Ne duam t’i japim idenë e duhur për futbollin, si të marrim rezultate dhe të rrisim nivelin. Nuk mund të mungojë kurrë në fushë shpirti dhe zemra.

Projekti është shumë i mirë. Jam një person që punoj shumë, më pëlqejnë sfidat dhe kam mentalitetin e duhur. Do ndihem si në shtëpi. Më dha përshtypje shumë të mira atmosfera rreth Kombëtares. Këto më dhanë një shtysë të fortë në zemrën time të zgjidhja kombëtaren e Shqipërisë.


Top Channel

You may also like