Të dorëhiqen Ali Ahmeti, Merko dhe nipat e Ahmetit – Shqip

by admin
Spread the love

Hapni rrugë hetimit të mirëfilltë”

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami përmes një konference për media ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit në skenën politike vendore, informon KlanM.

Kasami i ka quajtur “muhabete bajate” deklarimet e fundit të kreut të BDI-së për hetime të funksionarëve partiakë.

“Sikur nuk i mjaftoi hetimi që bënë miqtë tanë amerikan dhe nxjerrja në pah e keqpërdorimeve të Ramiz Merkos, Ali Ahmeti na mbajti ligjërata edhe dje, duke thënë se, Merkoja duhet të hetohet nga prokuroria. Dhe sikur edhe kjo të mos mjaftonte, Ahmeti e tha të njëjtën gjë edhe për nipin e tij Drin Ahmetin i cili na u bë milioner brenda natës, por se dinte i ngrati se si ndodhi kjo. Thjesht dikush i paska bë dhuratë”, deklaroi Kasami.

Sipas Kasamit, këto deklarata të Ahmetit janë manipulime dhe gënjeshtra, ndërsa hodhi dyshime për kredibilitetin e organeve të drejtësisë. Kasami i ka parashtruar një sërë pyetjesh Ahmetit në lidhje me organet e drejtësisë, që do të duhej t’i kryenin hetimet ndaj funksionarëve të tij, përcjell Shqip.

Deklarata e plotë:

Ditëve të fundit kreu i BDI-së Ali Ahmeti, iu rikthehet sërish muhabeteve bajate gjithnjë me mendimin se kjo popullatë që ai dhe funksionarët e tij të korruptuar e manipuluan tash e 20 vite, do i gëlltis.

Sikur nuk i mjaftoi hetimi që bënë miqtë tanë amerikan dhe nxjerrja në pah e keqpërdorimeve të Ramiz Merkos, Ali Ahmeti na mbajti ligjërata edhe dje, duke thënë se, Merkoja duhet të hetohet nga prokuroria. Dhe sikur edhe kjo të mos mjaftonte, Ahmeti e tha të njëjtën gjë edhe për nipin e tij Drin Ahmetin i cili na u bë milioner brenda natës, por se dinte i ngrati se si ndodhi kjo. Thjesht dikush i paska bë dhuratë.

Hajde rren hajde. Zotëri Ahmeti, nëse i mbyllni sytë nuk do të thotë se nuk ju sheh askush, por ju nuk shihni askënd. Populli nuk i pranon tashmë këto manipulime.

E dimë që nuk ju mjafton hetimi që bënë miqtë tanë amerikanë andaj dhe thërrisni prokurorinë për ta hetuar xhambazin e Strugës Merkon, por ne do ju pyesim një gjë.

Për cilën Prokurori e keni fjalën?

Për atë Prokurori e cila drejtohet nga një shërbetor i juaji, për atë që është e kapur kokë e këmbë nga ju?

E keni fjalën për atë të cilën e udhëheq Islami, i cili, njëjtë sikur nipi juaj Drini, nuk e dinte se si ka përfunduar nëpër shtëpitë tuaja duke bërë fotografi me ty dhe familjarët tuaj.

Për cilën gjykatë e keni fjalën zotëri Ahmeti, për gjykatën të cilës, edhe pse udhëhiqet nga njerëzit tuaj të afërt ju vetë nuk i besoni, e lëre më që popullata as katër përqind nuk i beson?

Kush do e hetojë Merkon dhe nipin tënd për korrupsion, Komisioni shtetëror i cili ka besim nga popullata ende më të ulët se sa  drejtësia?

Nëse je aq i sigurt në ftesën që bëni për hetim nga ana e prokurorisë dhe gjykatës apo anti korrupsionit, a mund të na sqarosh për hir të së vërtetës, pa u futur në hetimet për të cilat bëni thirrje ju, prej nga brenda natës nipi juaj arriti të zgjohet në mëngjes me një kapital prej 32 milion eurosh?

Për hir të korrektësisë, dhe për të mos i lodhur organet e drejtësisë të bëjnë hetime, a mund ti dhe Drejtori juaj Fetsimi të na shpjegoni, fotoja e nipit tënd me drejtorin, është bërë para apo pasi e mori grantin prej 80.000 euro, në shenjë falënderimi?

Zotëri Ahmeti, meqë jeni kaq i bindur në atë që thoni dhe lustrimin që kërkoni, a na shpjegoni se si ndodhi koncesioni i hidrocentralit për 23 vite.

Zotëri Ahmeti, ju ka hetuar Amerika dhe ju ka shpallur nongrata, ju ka gjykuar populli, duke ju dhënë një besim hiç më të madh se 4 për qind në drejtësinë për të cilën flisni gjithë kohës, dhe do ju dënojë edhe një herë në zgjedhjet e ardhshme.

Nëse jeni kaq të bindur për pastërtinë tuaj, atëherë jepni dorëheqje bashkë me Merkon dhe nipat tuaj, dhe hapni rrugë hetimit të mirëfilltë. Por s`ua mban të bëni këtë gjë, andaj drejtësinë dhe gjykimin më të mirë do t’ua japë populli.

 

You may also like