Tarifë shtesë për importet e arit dhe bizhuterive – Me këtë vendim, qeveria turke synon uljen e deficitit të llogarisë korente

by admin
Spread the love

Qeveria turke njoftoi së fundmi një tarifë shtesë prej 20% për disa importe të arit dhe bizhuterive, që synon të ndihmojë përpjekjet për të ulur deficitin e llogarisë korente.

Sipas dekretit presidencial të botuar në Fletoren Zyrtare, përveç tarifave ekzistuese të importit dhe detyrimeve të tjera, do të ketë tarifa shtesë për disa produkte ari dhe bizhuteri me origjinë nga vendet që nuk kanë marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë. Vendimi përjashton gjithashtu importet me origjinë nga vendet anëtare të BE-së.

Tarifa shtesë do të zbatohet për produktet e bizhuterive prej ari, si dhe për produktet e metaleve bazë të veshura me metale të çmuara. Importet e metaleve dhe gurëve të çmuar u rritën me 151% në periudhën janar-korrik krahasuar me një vit më pare, në 21.3 miliardë dollar.

Vetëm në korrik, importet e këtyre mallrave u rritën me gati 56% në bazë vjetore, duke u llogaritur në mbi 3 miliardë dollarë.

Në muajin maj, deficiti i llogarisë korente në Turqi u zgjerua në 7.93 miliardë dollarë nga 5.4 miliardë dollarë në prill, ndërsa deficiti i tregtisë së jashtme u rrit nga 7.05 miliardë, në 10.5 miliardë dollarë.

Me përjashtim të arit dhe energjisë, llogaria korente tregoi deficit neto prej 1.28 miliardë dollarësh. Sondazhet kanë treguar se analistët prisnin që llogaria korente të shënonte një suficit prej rreth 420 milionë dollarë në qershor për shkak të të ardhurave nga turizmi dhe rënies së deficitit të tregtisë së jashtme.

/SCAN

You may also like