Superjahti i jashtëzakonshëm, i frymëzuar nga peshkaqeni mako

by admin
Spread the love
I projektuar për të pasur zero emetime karboni, ai përdor një sistem shtytës që përbëhet nga rezervuarët e hidrogjenit, nga qelizat e karburantit (qeliza që prodhojnë rrymë elektrike nga një reaksion kimik) dhe motorë elektrikë, të kombinuar me një sistem magazinimi baterish dhe panelesh diellore.

 

Në gamën e të gjithë superjahteve të rinj, ky që do të shihni këtu është mjaft i veҫantë.

Dizajni i superjahtit “Mako” është frymëzuar nga peshkaqeni mako, specia më e shpejtë e peshkaqenëve në botë, të cilët mund të arrijnë shpejtësinë 74 km/h. Anija 120 metra e gjatë, e projektuar “për të depërtuar nëpër valët e detit”, është “frymëzuar nga eleganca dhe karakteristikat e peshkaqenit mako”, sipas projektuesve.

Cila është shpejtësia që mund të arrijë ky superjaht? Mako mund të arrijë shpejtësinë edhe më të madhe se vetë peshkaqeni, ndërmjet 74 km/h dhe 93 km/h.

Kjo anije, e cilësuar si një “jaht eksplorues”, është vepër e grupit të projektimit State of Craft, me qendër në Londër dhe në Otava, Kanada.

Në dizajnin e përgjithshëm mbresëlënës, një nga veçoritë që bie në sy është platforma për helikopterë në pjesën e përparme, e cila mund të ulet në kuvertën më poshtë duke funksionuar si një hapësirë për ruajtjen e avionëve.

Në pjesën e përparme ndodhet edhe një pishinë e cila ofron “pamje fantastike që shtrihen në të gjithë jahtin”. Në “zemrën” e jahtit është “Studio”, e cila përshkruhet si një “hapësirë e mbushur me dritë, me dy lartësi dhe me pamje të pandërprerë”.

Projektuesit shprehen se “kjo hapësirë e madhe dhe komode ofron një ndjesi të orientimit, të lirisë dhe të lidhjes me diellin, detin dhe qiellin, ndjesi të cilat zakonisht humbasin në jahtet e mëdha”.

Duke shkuar për në pjesën e poshtme të kuvertës, do të gjeni kabinën e timonit në harkun e anijes, si dhe “akomodimin e madh dhe fleksibël për vizitorët dhe ekuipazhin”, i cili përbëhet nga gjashtë suita për vizitorët. Suita master do të zërë të gjithë kuvertën e sipërme të superjahtit.

Në pjesën e sipërme të kuvertës është dhe “Pavijoni”, një dhomë e mbrojtur nga ekranet rrëshqitëse, që mund të përdoret si “observator i qiellit të natës, një sallë panoramike, një studio fitmesi, ose si një hapësirë për joga”.

Për të shijuar peizazhin e detit, pasagjerët mund të shkojnë në kuvertën e prapme, ku ka një zonë “të fundosur” që ofron pamje 270 gradë. Varkat e vogla të jahtit mund të futen në byk dhe të ankorohen nga brenda përmes derës së garazhit në pjesën e pasme.

Në fund, aty ndodhet edhe një platformë “jashtëzakonisht e gjerë”, e ngjashme me një klub plazhi, ku pasagjerët mund të shijojnë sportet ujore buzë ujit. Superjahti, i cilësuar si një “shtëpi komode, hapësirë argëtimi dhe platformë për aventura”, mund të modifikohet për t’u bërë një “anije tregtare”, theksojnë projektuesit.

I projektuar për të pasur zero emetime karboni, ai përdor një sistem shtytës që përbëhet nga rezervuarët e hidrogjenit, nga qelizat e karburantit (qeliza që prodhojnë rrymë elektrike nga një reaksion kimik) dhe motorë elektrikë, të kombinuar me një sistem magazinimi baterish dhe panelesh diellore.

Duke komentuar dizajnin e pazakontë, themeluesi i State of Craft, Daniel Goldberg, thotë: “Doja që trupi i anijes dhe kjo superstrukturë, hapësirat e brendshme dhe të jashtme, të integroheshin të gjitha në një hapësirë të vetme me një sipërfaqe të vazhdueshme.

Ky bashkim i formës dhe i funksionit e bën të veçantë këtë koncept dhe ka frymëzuar të gjitha aspektet e dizajnit që në fillim”.

Mako aktualisht është vetëm një koncept dhe çmimi i tij nuk është përcaktuar ende. Kjo është përpjekja e parë e State of Craft për të projektuar një anije – grupi ka punuar më parë në ndërtimin e rezidencave të banimit dhe të shtëpive private. / Daily Mail

You may also like