Superiore: Java 33 shtrihet në 3 ditë, Tirana kërkon titullin në derbi

by admin
Spread the love

Java e 33-të e Kategorisë Superiore do të zhvillohet në tre ditë me derbin e Tiranës që do të hapë siparin. Në “Elbasan Arena” Partizani do të ndeshet me Tiranën që prej tre javësh po i shtyhet festa për titullin kampion. Ndeshja do të luhet të shtunën dhe do të startojë në orën 18:45.

Ekipi i Orges Shehit do të provojë të fitojë për titullin përballë rivalëve të përjetshëm, ndërsa nga ana tjetër Partizani nuk dëshiron të bëjë hap fals, jo vetëm për të vonuar festën e bardhebluve, por edhe sepse po lufton për një vend në kupat europiane.

Edhe të dielën do të ketë vetëm një sfidë dhe është ajo midis Laçit dhe Kastriotit. Pas 9 ndeshjesh pa humbje, midis të cilave 7 ishin rresht, Kastrioti u ndal nga Skënderbeu, ndërsa do të provojë të rikthehet te fitorja në Laç. Nga ana tjetër, ekipi i Duros nuk dëshiron të lëshojë terren dhe do të luftojë vetëm për fitore.

Tre ndeshjet e tjera do të luhen ditën e hënë me dy sfidat e para që do të startojnë në orën 16:45. Dy vendet e fundit Dinamo e Skënderbeu do të përballen me njëra-tjetrën edhe pse mbijetesat po duket gjithnjë e më shumë objektiv i pamundur.

Po në të njëjtin orar Teuta do të presë në Durrës Egnatian që po shfaqet vazhdimisht një kërcënim për ekipin e Arapit. Kampionët në fuqi janë të detyruar të fitojnë për mos rrezikuar zonën e “play off”, ndërkohë që të njëjtin qëllim ka dhe Egnatia.

Java do të mbyllet me sfidën për Europë, Vllaznia-Kukësi që do të nisë në orën 19:45. Të dyja ekipet nuk janë duke kaluar një moment të mirë në kampionat dhe ndodhen me pikë të barabarta në tabelën e klasifikimit. Edhe shanset janë po të barabarta, edhe pse Kukësi ka edhe 7 ndeshje pa fitore në Superiore. /oversport.tv

You may also like