Sulmet kibernetike bllokojnë shumë faqe interneti në Ukrainë –

by admin
Spread the love

Ukraina është goditur nga sulme të tjera kibernetike, për të cilat qeveria thotë se janë “të një niveli tërësisht ndryshe”.

Të mërkurën paradite, faqet e internetit të disa bankave dhe departamenteve qeveritare të Ukrainës u bënë të paaksesueshme. Shoqëria Internet NetBlocks shkroi në Twitter: “Incidenti duket në linjë me sulmet e fundit DDOS”.

Sulmet DDOS (Distributed denial of service) synojnë t’i nxjerrin jashtë funksioni faqet e internetit (offline), duke i ‘bombarduar’ ato me një numër të lartë kërkesash derisa të bllokohen.

 

“Ndërprerjet po vazhdojnë”

“Një tjetër sulm masiv DDoS ndaj shtetit tonë [ka nisur]” – shkroi ministri i Transformimit Dixhital i Ukrainës, Mykhaylo Fedorov në Telegram.

Të dhënat e NetBlocks tregojnë se ndikimi filloi të mërkurën pasdite, duke u intensifikuar gjatë ditës. Një studiues tha për BBC News se “faqet e internetit të ushtrisë dhe bankave të Ukrainës u rikthyen më shpejt pas sulmit të sotëm kibernetik, me gjasa për shkak të gatishmërisë dhe rritjes së kapacitetit për të zbatuar masat zbutëse”.

“Pavarësisht kësaj, incidentet vijojnë, me ndërprerje të vazhdueshme në Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës, gjë që tregon për ashpërsinë e situatës”.

 

Lufta hibride

BE njoftoi të martën se një ekip i reagimit të shpejtë kibernetik (CRRT) është dërguar në të gjithë Europën, pas një thirrjeje për ndihmë nga Ukraina.

Nuk dihet nëse skuadra e ekspertëve nga gjashtë vende vullnetare po ndihmon për t’u mbrojtur kundër këtij sulmi të fundit. Sulmet DDoS janë përdorur në fushata të ndryshme si pjesë e taktikave të ashtuquajtura “luftë hibride” të Rusisë, duke ndërthurur sulmet kibernetike me aktivitetin tradicional ushtarak.

Sulmet DDoS goditën Gjeorgjinë dhe Krimenë gjatë sulmeve përkatësisht në vitin 2008 dhe 2014. Bashkimi Europian, Britania e Madhe dhe Ukraina fajësuan hakerat e qeverisë ruse për sulmet në nënstacionet e energjisë elektrike që shkaktuan ndërprerje të mëdha të energjisë në 2015 dhe 2016

SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian e fajësuan atë edhe për sulmin NotPetya, i cili filloi në Ukrainë, por u përhap në gjithë botën, duke shkaktuar miliarda dollarë dëme në sistemet kompjuterike në Europë, Azi dhe Amerikë.

Moska e ka mohuar se qëndron pas sulmit, duke i quajtur pretendime të tilla “rusofobike”.

/ BBC

You may also like