Stuhia “Idalia” dëme të mëdha në Florida dhe Xhorxhia – Shqip

by admin
Spread the love

Presidenti Biden premton ndihma për Floridan dhe ishullin e djegur Maui

Ajo që paralajmëruan autoritetet amerikane për stuhinë “Idalia” ndodhi.

Erërat me shpejtësi prej 200 kilometrash në orë dhe shirat kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të rënda të shtëpive dhe bizneseve.

Stuhia përfshiu edhe shtetin e Xhorxhias me erëra me shpejtësi deri në 140 kilometrash në orë, duke përmbytur rrugët dhe duke detyruar evakuimin e shumë banorëve.

Zyrtarë shtetërorë, 5500 trupa të Gardës Kombëtare dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar për të ndihmuar këdo që mund të jetë në rrezik por edhe per normalizimin e situatës pas stuhisë. Gati gjysmë milioni njerëz në Florida dhe Xhorxhia mbetën pa energji elektrike ndërsa fatmirësisht sipas guvernatorit Ron de Santis nuk është shënuar asnjë viktimë.

Duke folur pasi uragani “Idalia” goditi rajonin Big Bend të Floridës, duke detyruar evakuimin e miliona banorëve presidenti amerikan Joe Biden u shpreh se askush nuk mund ta mohojë se bota po përballet me një krizë klimatike

“Askush nuk mund të mohojë më ndikimin e krizës klimatike. Shikoni se si përmbytjet historike, thatësirat më intensive, nxehtësia ekstreme, zjarret e mëdha kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.”

Presidenti Xho Bajden premtoi gjithashtu mbështetje për tejkalimin e situatës në Florida pas përmbytjeve ndërsa deklaroi se do të ndihmonte ishullin Maui të djegur nga zjarret pak dite më parë me 95 miliardë dollarë fonde infrastrukturore.

Disa njerëz në ishull, shtëpitë e të cilëve u dogjën janë ankuar se autoritetet nuk i kanë lejuar të kthehen në pronat e tyre.

Presidenti Biden bëri thirrje për durim, duke shpjeguar se materiali i rrezikshëm duhet të hiqet përpara se njerëzit të kthehen atje.

“Dua të jem i qartë me qytetarët e Maui-t se çfarë duhet të presin. Puna që po bëjmë do të marrë kohë.”

Presidenti Biden e ka bërë luftën kundër ndryshimit të klimës një qëllim të rëndësishëm të presidencës së tij, duke vendosur një objektiv për të përgjysmuar emetimet në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2030 dhe duke miratuar qindra miliarda dollarë kredi tatimore për të nxitur përdorimin e makinave elektrike.

Klan News

You may also like