Stërvitja e fundit para nisjes për Çeki/ Sylvinho ndan skuadrën në dy grupe, shqetëson gjendja e mesfushorit

by admin
Spread the love

Shqipëria kreu seancën e fundit në ”Shtëpinë e Futbollit” para nisjes për në Çeki për ndeshjen eliminatore të Euro 2024.

Në ditën e martë, trajneri Sylvinho zhvilloi dy seanca stërvitore për kuqezinjtë, ku gjatë paradites u provuan situata taktike, ndërsa në pasdite tekniku brazilian u mor sërish me pjesën taktike, duke përfshirë edhe lojtarë të Shqipërisë U19. Trajneri e ndau skuadrën në dy grupe, ku grupi i parë përfshinte: Kastratin, Balliun, Ajetin, Mihajn, Veselin, Gjasulën, Baren, Muçin, Roshin, Mujën dhe Dakun. Ndërkohë, grupi i dytë përbëhej nga: Strakosha, Berisha, Hysaj, Gjimshiti, Mitaj, Ramadani, Asllani, Bajrami, Asani, Seferi, Uzuni, Cikalleshi dhe Ismajli.

Shqetësim për Sylvinhon vijon të mbetet Qazim Laçi. Mesfushori që aktivizohet në radhët e Sparta Prague vijon të mungojë në seancat stërvitore për shkak të gjendjes gripale. Me shumë mundësi, 27-vjeçari mund të mos udhëtojë për në Çeki, për ndeshjen e katërt të kuqezinjve në grupin E dhe padyshim një nga përballjet më të rëndësishme të rrugëtimit të kuqezinjve. Gjithsesi, gjendja e Laçit do të vlerësohet deri në fund dhe së bashku me mjekët, trajneri Sylvinho do të dalë në një konkluzion të përbashkët.

Të mërkurën në mëngjes, kombëtarja shqiptare do të niset për në Pragë. Programi i kuqezinjve do të vijojë të mbetet mjaft intensiv teksa në orën 17:15 nga stadiumi ”Fortuna Arena”, Sylvinho do të jetë në praninë e një lojtari për të zhvilluar konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes. Në orën 18:00 lojtarët e Shqipërisë do të kryejnë dhe seancën e fundit stërvitore në ambientet e stadiumit.

Të enjten do të vijë dhe momenti i së vërtetës, ku Shqipëria do të ndeshet ndaj kryesuesve të grupit E, Republikës Çeke, në tentativën për të marrë një rezultat pozitiv e për të rritur shanset e kualifikimit në Euro 2024. Për të përcjellë çdo emocion mos harroni të ndiqni dhe emisionin ”Kuqezi” që do të transmetohet para dhe pas ndeshjes, ku do të keni mundësi të ndiqni analizën e specializuar, shoqëruar dhe nga prononcimet e protagonistëve të sfidës.

Ndeshja do të transmetohet në 20:45 në SS2 nën komentin e Ylli Agës dhe Erjon Xhafës, falas për të gjithë ata që kanë një abonim familjar aktiv.


Top Channel

You may also like